Emigranti që largohet i dëshpëruar nga vendi i tij (Video)

809
0

Vijnë për pushime, por largohen të dëshpëruar. Janë të shumtë ata emigrantë, pritshmëritë e të cilëve kanë qenë shumë të ndryshme nga çfarë përjetojnë realisht në vendin e tyre. Petriti 50-vjeçar është një prej emigrantëve i cili prej gati 30 vjetësh punon e jeton në Itali.

Edhe këtë verë u kthye në Shqipëri tek të afërmit në Elbasan ku kaloi disa ditë pushimi. Pak para nisjes, përshtypja e parë që të lë është dëshpërimi që ka për të ardhmen e popullit që jeton këtu dhe të vendit të tij, Shqipërisë.

Petriti thotë se pak shpresë ka që ta shohë vendin dhe popullin e tij të ecë përpra si popujt e tjerë, ndërsa shembulli i popullit italian është shumë i ndryshëm nga ai shqiptar. “Ka korrupsion, nëse nuk paguan nuk merr asnjë shërbim në asnjë institucion. Këtu mekaniku bëhet si doktor, e doktori mekanik”, pohon ai.

Të shumta janë rastet pse e kanë bërë pesimist për vendin e tij. Verën e shkuar polici kufitar në portin e Durrësit i kërkoi 50 Euro të afërmes së tij për të mos iu bërë pengesë të kalonte në shtetin italian, ndërsa dispononte të gjitha dokumentet e nevojshme. Në sytë e tij ka shumë trishtim ndërsa largohet nga vendi të cilin e do më shumë se çdo vend tjetër. Në Itali ndjehet i huaj, ndërsa në Shqipëri ndjehet dy herë më shumë i huaj.