“Pritëm 27 vjet dhe vetëm gënjeshtra”, dy mësuesit nuk durojnë më dhe ndërtojnë vetë shkollën

787
0

E rralle! Nuk kanë pritur me 2 mësuesit Donald Dervishi dhe Borsion Spaho dhe kanë mundur të bëjnë realitet ëndrrën e tyre dhe të banorëve të zonës Vëndreshë Mal, duke i kthyer ne kete menyre fshatit pas kaq shumë vjetësh mungesë të një shkolle, institucionin e tyre arsimor. Mësuesi Donald Dervishi tregon se nisma humanitare e ndërmarrë prej tyre në shtator të vitit 2017, e arriti qëllimin, pasi shkolla këtë fillim viti do jetë në shërbim të fëmijëve të fshatit.

Vëndreshë III ose siç njihet ndryshe Vëndreshë Mal është një fshat i Skraparit që ndodhet 3 orë larg nga zona urbane dhe prej vitesh ka sjellë vështirësi në zhvillimin e procesit mësimor si për fëmijët e këtij fshati dhe për mësuesit. Dervishi tregon se nismën e filluan pas pjesëmarrjes në emisionin “100 Milionë”, ku dolën fitues me 250 mijë lek të rinj dhe më pas me anë të një faqeje donacionesh në internet mblodhën mbi 10000 $ si dhe materiale të dhuruara nga kompani të ndryshme dhe individë.

Shkolla e re është e vogël, me një klasë, tualetin dhe një korridor. E mjaftueshme për 5 fëmijët që do të ulen këtë vit në bankat e saj. Mësimi do të zhvillohet me klasë kolektive, ku secili nxënës do punojë me programin përkatës që ka, shpjegon Dervishi më tej.

Nisma e 2 mësuesëve ka emocionuar dhe ka marrë përkrahje nga të gjithë, sidomos nga banorët e këtij fshati të thellë. Mësues Donald Dervishi është drejtori i shkollës “Ferit Bregu” të Njësisë Administrative Vendore Vendreshë e Madhe. Ka studiuar për Gjuhë-Letërsi dhe jep mësim në shkollën 9-vjeçare të fshatit Therepel, që është 3 orë larg në këmbë vajtje-ardhje me fshatin Vendreshë Mal (ku u ndërtua shkolla).

Bashkënismëtari Borsion Spaho, është mësues i ciklit fillor. Mësues Borsioni ka tre vjet që jep mësim në këtë fshat, në një shtëpi me qera, e përshatur si shkollë. Për rreth 10 vite kështu ka funksionuar, për të mos u mohuar fëmijëve arsimimin. Mësues Borisonit “i duhej të vinte çdo ditë në këtë fshat nga qyteti i Çorovodes deri në Vendreshe Mal, në kohë me shi, breshër, borë apo dhe në kohë me diell, gjë e cila i kushtonte 3 orë kohë në total, vajtje- ardhje”, thotë Dervishi për Pozitivin.

Prej disa ditësh keni punuar për ndërtimin e shkollës në fshatin Vëndresh e Malit. A do të jetë ajo gati për fillimin e këtij viti shkollor?

 Sot jemi në përfundim të ditës së 10 (dhjetë) të punimeve. Punimet kanë vijuar sipas planit që kishim përcaktuar më parë dhe për këtë jemi shumë të kënaqur dhe shumë entuziast që shumë shpejt dhe sigurisht përpara fillimit të vitit te ri shkollor shkolla do të jetë gati dhe nxënësit e kësaj shkolle do të kenë mundësi të mësojnë në kushte të ngrohta, ashtu siç mësojnë dhe bashkëmoshatarët e tyre në qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë dhe jo vetëm.

Sa nxënës do mund të ndjekin shkollën në këtë ndërtesë, pra si mendohet të funksionojë pasi ta përfundoni?

 Këtë vit në këtë shkollë do të ulen gjithsej 4 (katër) nxënës dhe një fëmijë që është për parashkollor, pra gjithsej 5 (pesë) fëmijë. Nenësit janë të klasave të ndryshme, një nxënëse do të jetë në klasën e parë, një nxënëse tjetër në klasën e dytë dhe dy nxënës të tjerë, një në klasë të tretë dhe një në klasë të pestë. Mësimi zhvillohet me klasa kolektive, pra mësuesi punon me nxënësit në të njëjtën kohë në grup, duke lënë në punë të pavarur tre nxënës dhe me pas punon me një dhe kështu vazhdon edhe me të tjerët deri në përfundimin e mësimit. Ndërkohë një nxënës që është për parashkollor e lë të punojë në punë të pavarur sipas programit që kanë për këtë nxënës.

Si erdhi ideja e nismës? Gjithashtu do donim një prezantim të dy mësuesëve që e ndërmorën nismën, të cilët jeni ju dhe kolegu juaj?

Nisma ka filluar në shtator të vitit të kaluar (2017) dhe ka përfunduar në qershor të këtij viti. Ne nismën e kemi nisur direkt pas pjesëmarrjes tone në emisionin “100 Milionë” ne Top Channel nga i cili dolëm fitues me 250 mijë lek të rinj dhe më pas me anë të një faqeje donacionesh në Internet arritëm të mblidhnim 5000$ “gofundme” dhe shuma të tjera që na kaluan në numrin e llogarisë bankare, deri në bërjen të mundur të mbledhjeve të plota të mbi 10000 $ si dhe materiale të dhuruara nga kompani të ndryshime ndërtimesh apo individë.

Unë jam drejtori i shkollës “Ferit Bregu” Vendreshë të Njësisë Administrative Vendore Vendreshë e Madhe. Kam në menaxhim pesë shkolla të kësaj njësië në pesë fshatra, të cilët janë: Therepel, Vendreshë e I-re, Vendreshë e II-të, Vendreshë e III-të (Vendreshë Mal) dhe Spathare. Kam perfunduar studimet për Gjuhë-Letërsi dhe jap mësim në shkollën 9-vjeçare të fshatit Therepel. Unë jam nga fshati Therepel i kësaj njësie dhe Vendreshën Mal (ku po ndërtohet shkolla) e kam 3 orë larg në këmbë vajtje-ardhje.

A kanë qenë të privuar nga shkolla fëmijët e këtij fshati të largët (Vendreshë Mal) duke qenë se atje nuk ka pasur shkollë?

 Bashkë me mua në këtë nismë është dhe Borsion Spaho, mësues i ciklit fillor. Mësues Borsioni ka tre vjet që jep mësim në këtë fshat në një shkollë fillore, e cila është përshatur nga një shtëpi e marrë me qera dhe kështu ka funksionuar për një kohë të gjatë, për më shumë se dhjetë vjetesh. Pra fëmijëve nuk u është mohuar arsimimi edhe pse nga një zonë e largët.

Mësues Borsionit i duhej të vinte çdo ditë në këtë fshat nga qyteti i Çorovodes deri në Vendreshe Mal, në kohë me shi, breshër, borë apo dhe në kohë me diell, gjë e cila i kushtonte 3 orë kohë në total, vajtje- ardhje. Çorovode – Vendreshë e II-të 1 ore e 30 minuta me makinë vajtje-ardhje dhe Vendreshë e II – të Vendreshë e III-të (Vendreshë Mal) 1 orë e 30 minuta me këmbë vajtje-ardhje. Vendresha e II-të është qendra e drejtorisë së shkollës “Ferit Bregu”.

Përveç pamjeve që keni shpërndarë në rrjete sociale, na tregoni pak më shumë për ditët e punës gjatë ndërtimit të shkollës? 

Gjatë verës duhet të them qe nuk kemi punuar, pasi nuk arriti askush të merrte përsipër ndërtimin e kësaj shkolle sepse largësia që ka Vendresha e Malit nga zona urbane është shumë e madhe dhe për këtë arsye jemi munduar shumë derisa kemi gjetur ustallarët për të marrë përsipër realizimin e këtij projekti humanitar. Vështirësi tjetër duhet përmendur që ka qenë rruga.

Na është dashur që të merrnim fadromë për zgjerim dhe nivelim të rrugës për të çuar materialet në vend dhe për këtë na është dashur të shpenzonim gati 1200 dollar. Ne (mësues Borsioni dhe unë kemi udhëhequr punimet nga dita e parë deri sot që shënon dita e dhjetë. Ndërtuesit i kemi paguar me lekë sepse është pune e lodhshme dhe zgjat në kohë, plus veshtirësia e rrugës shumë herë na është dashur që të bëjmë edhe 2 orë rrugë me këmbë vajtje-ardhje në kohë me shi.

A ka pasur sensibilizim dhe kontribut nga shkolla te tjera, qofshin këto në Skrapar ose jo? 

 Sigurisht që kemi patur. Ka qenë në Poliçan një shkollë, e cila quhet “Refat Keli”, ku klasa e pestë e kësaj shkolle kanë blerë dhurata për nxënësit e kësaj shkolle me rasitin e Vitit te Ri. Ne kemi qenë të ftuar në këtë organizim dhe kemi tërhequr dhuratat për nxënësit e kësaj shkolle. Ka qenë Universiteti Polis në Tiranë, i cili ka bërë të mundur të kontribonte në vlerë monetare asistence inxhierie me anë të stafit pedagogjik, si dhe mbledhjen e nje sasie librash nga studentët. Kanë qenë gjithashtu profesorët e Albanian College Durrës të cilët kanë dhuruar shuma të ndryshme parash, ku shumica prej tyre kanë qenë profesorë të huaj (Anglia, Amerika, Kanadaja, Polonia, etj)

Si kanë qenë reagimet e banorëve dhe fëmijëve të fshatit  tani që punimet po shkojnë drejt fundit?

 Të them të drejtën jemi ndjerë shumë mirë. Të gjithë banorët na kanë shprehur falenderime dhe urime pa fund. Ata vetë ndjehen të entuziasmuar që në fund pas kaq shumë vjetësh mungesë të një shkolle të rregullt të kenë dhe ata institucionin e tyre arsimor pranë fshatit të tyre Vendreshë Mal. Dua të shtoj edhe një falenderim të veçantë për secilin individ qe na ka besuar që në fillim të herës dhe na kanë dhënë shtysë dhe kurajo që ne këtë ëndërr të përbashkët ta bënim realitet. Me respekt, Donald Dervishi dhe Borsion Spaho.