Komunist t’u shoftë fara, ngado shkoj më del përpara

614
0

Nga Agim Xhafka

Ishim për bukuri në plazh deri nga ora dhjetë. Se më pas nga lokali matanë shezllonave vinin ca thirrje si histerizma.

-Ju kam mbajtur në pëllëmbë të dorës,more pizevengër! Ju kam dhënë punë e nga unë e keni edhe vërtetimin ,atë që u dha tokë. E sheh këtë hotel që ke ngritur. Mbi tokën e Vaitit e ke bërë. Nuk ia dhamë atij,e more ti. Se firma ime ty ta dha, pronarit na, dhe nxirrte bërrylin.

U bëmë kuriozë të gjithë të shihnim kush çirrej kështu.

-Ndonjë i dehur,-mendova.

Kur ia palli prapë:

-O Nimet,o Nimet!

-Urdhëro,Sami,-iu përgjigj një burrë,mbi biçikletë kishte një kosh me fiq që e shiste në plazh.

-Të kujtohet kur të kapa me lopën te jonxha? Të kujtohet që të fala? Dhe duhet të dish për nder se kush e di sa burg do bëje. Apo kur shave qeverinë se një mut u jepte vajguri për gatim? I harrove,more derr?!

Heshti pak sa gjerbi kafen e ia nisi prapë:

-Shtet bëmë ne, nuk guxoje të flisje e të bëje dër dër…Të gjithë në arë sa delte dielli e deri sa rrëzohej në det. Si ushtarë të bindur. Hahahaha, një, dy, një, dy…

Nuk m’u durua dhe pyeta të zotin e lokalit.

-Kush është ky mumja?

-Samiu, Samiu, ka qenë kryetar i kooperativës.

-Paska lajthitur. I ka mbushur 85?

-Aq duhet të jetë. Shumë vite heshti, bile nuk delte as nga shtëpia, kafshonte gjuhën kur e ngacmonin njerëzit.

-Pse e ngacmonin?

-Se as bukë misri nuk siguronin dot familjet në kohën e këtij. Qumështin në fshat fëmijët e shihnin veç në libra. Mishi u harrua si shije e si formë.

-Nxirre jashtë lokalit, po të bezdis turistët?

-Pu, pu, pu dhe kjo më duhet!- u tremb ai.

-Ke frikë nga ky gërxho?

-Po. Në fakt nga ky, por nga djemtë e tij.

-Janë nga të fortët?

-Më keq. Të zhdukin.

E ndërsa po hapja sytë i çuditur ai më afrohet te veshi.

-Një djalë e ka te tatimet. Vjen shpesh këtu me shokët. Ha, pi,nuk paguan vërtet, por shyqyr nuk më ve gjoba. Tjetrin e ka tek hipoteka. Dy kate m’i legalizoi., ama e pagova sa për një pallat. Tjetrin e ka në polici. Sa herë ngrihemi kur s’kemi drita ngre dorën ai e ku na ha e ku na djeg. Samiu është si benz i blinduar.

Ngela me gojë hapur. Ndërkohë Samiu m’u drejtua mua:

-Nga të kemi tyja, more?

Doja t’i thoja nga pçst, por u përmbajta.

-From Amerika, -iu përgjigja anglisht jo pa qëllim.

-Rama iu vjen hakut juve, ua dhjeu atë Trampin, ua vuri para hahahaha -foli dhe qeshte me zë të lartë.

-Ju po na dhisni prapë të gjithëve. Nuk u ngopët me komunizmin e parë. Filluat të dytin. -fola me vete dhe shkova e u kredha në det. Se më zhuriti inati ndaj monstrës së kuqe. E duke notuar më erdhën vetiu vargjet:

“Komunist t’u shoftë fara,

Ngado shkoj më del përpara…”
/syri.net/