Plazhi në Shqipëri: Fara dhe celularë. Ose silikon dhe misra të pjekur

587
0

Nga Edlira Gjoni

Do ishte mirë të postohej për fluksin e makinave që më në fund u rrit në Jug, qoftë edhe për dy ditë të vetme; apo për larminë e gjuhëve e karaktereve në breg; apo për zonjën në plazh me buzët me silikon, por ama misrin e pjekur e blen sa herë kalon tregtari ambulant (pa kupon). Apo për zotërinë me zë të butë që kalon poshtë çadrave me një mal me libra e fton me mirësjellje “Letërsi e zgjedhur. Merrni librat e autorëve klasikë”. Mallrat e tij janë më pak të shiturat. Ambulantët e fiqve, misrave, topave, komerdareve, letrave e lojërave ndalin shpesh e malli u fluturon. Ama askush nuk i konkuron dot tregëtarët e farave. Ata mbajnë kampion.

Fara të pjekura, të papjekura, të paketuara, të kaushuara me shumicë nëpër çadra. Fara dhe celularë. Ose silikon dhe misra të pjekur. Vetëm librat nuk i blen pothuajse askush. Zotëria rikthehet duke mezi-mbajtur në krahë togun e rëndë me Balzakun, Mopasanin, Floberin, De Amicis, Eccon, Pamukun. Farat fluturojnë. Librat jo! Aty, duke e bërë ujë në djersë nga rëndesa zotërinë që mundohet të shesë pakëz kulturë! Do ishte mirë të shkruhej gjatë për këto. Por dhe farat u sfiduan. Del një koment që i përmbys të gjitha “shqetësimet” ­e të hënës paradite buzë detit në Jugun e Shqipërisë. Kryeministri i vendit më në fund reagon për ngjarjen e Selenicës. “Epo shyqyr” – mendon njeriu.

Dhe lexon reagimin, që na qenka thjesht përgjigje e një komenti kritik në Facebook, ku kryeministri thënka: “Në hënë jeton ti? Ngjarje të tilla ndodhin në gjithë botën. Nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë” ….Me kaq, qetësohet shqiptari pushues dhe vazhdon i qetë të blejë fara. Se tek e fundit, asgjë që ndodh përreth çadrës së tyre, jetës së tyre, vdekjes masive, nuk ka lidhje me qeverinë. As ngushëllimet madje nuk janë të nevojshme.

I nxehtë Gushti i Shqipërisë!