Si shumë grekë të tjerë edhe Nikos Varthimiadis falimentoi. Borxhet e mëdha ia shkatërruan vitin e kaluar furrën e bukës dhe e detyruan këtë mesoburrë, baba të tre fëmijëve të regjistrohet në radhët e të papunëve, një numër që në Greqi është më i madhi mes 28 vendeve të Bashkimit Evropian.
Muajt në vijim pasuan herë me punë e herë pa punë. Por kërkimi i një pune të përhershme në Greqinë e mbytur nga kriza më e madhe financiare, që mund të ketë goditur ndonjë vend të Bashkimit Evropian, ishte e kotë.
Kështu i joshur nga një shok, po ashtu i papunë, si dhe reklama e shkëlqyer që premtonte të ardhura deri 1.300 euro në muaj, Varthimiadisi firmosi kontratën me një agjenci greke që rekrutonte punëtorë lokalë për një fabrikë japoneze në Republikën Çeke. Kushtet e punës në fabrikën që ndodhet në Kadan, rreth 90 km në verilindje të Pragës, dukeshin shumë të mira, por konfiguracioni i kontratës ishte mashtrim.
“Sa shkuam atje,” tregon Varthimiadis, “përfaqësuesit e shërbimit të rekrutimit na vunë përpara një kontratë, në të cilën shkruheshin gjëra krejt të tjera: rroga mujore ishte 540 euro, pa pagesë për orët jashtë orarit ose përfitime të tjera që na ishin premtuar.”
Ish-bukëpjekësi dhe shoku i tij refuzuan të firmosnin dhe u kthyen menjëherë në Greqi. Por të tjerët, pjesa më e madhe të rinj që po konfrontohen me papunësinë 50 përqind të lartë në vend, qëndruan.
“Që në minutën kur hipëm në autobuzin e rrënuar për të bërë udhëtimin 40 orë deri në Kadan, u duk qartë se kishim të bënim me një mashtrim”, i tregon Deutsche Welles Christina Neri. “Por kur është i dëshpëruar njeriu ka tendencën të mos shikojë shumë gjëra.”
Rreth 55 mijë agjenci në gjithë Evropën rekrutojnë çdo vit qindra mijëra punëtorë për punë krahu dhe punë në sektorin e shërbimit. Agjencitë u mundësojnë punëdhënësve të marrin punëtorë më fleksibël për të kursyer kostot gjigante të punës.
Më shumë se 427,000 grekë janë larguar nga Greqia për të kërkuar punë jashtë vendit, që kur ekonomia pësoi kolaps në vitin 2009. Truri i vendit po largohet, shkruan Banka Greke. Niveli i emigrimit e rendit Greqinë në vendin e tretë pas Qipros dhe Spanjës, sa u përket shifrave të të rinjve që largohen nga vend.