Autoritetet kanë dhënë alarmin këtë të premte në Britani, pasi pritet që disa pjesë të vendit të përfshihen nga moti i keq, me rrufe e përmbytje.
“Rreziku për përmbytje është i lartë dhe kjo mund të ndodhë në një kohë të shkurtër. Edhe rreziku për rrufe dhe erëra të forta do të jetë gjithashtu i lartë”, paralajmëroi Zyra Meteorologjike në vend.
Caroline Douglass, nga Agjencia e Mjedisit tha se pritet që pjesa dërrmuese e Anglisë lindore të përfshihet nga stuhi të fuqishme dhe shira të rrëmbyer.
Sipas saj, duke qenë se periudha e fundit ka qenë kryesisht e thatë, shiu i dendur nuk do të qëndrojë në sipërfaqe të thata, duke vërshuar drejt lumenjve dhe duke rritur me shpejtësi nivelin e këtyre të fundit.
Të enjten Britania përjetoi temperaturat më të larta që prej vitit 2015, duke arritur deri në 37 gradë Celcius. Megjithatë duket se vera përvëluese tashmë rrezikohet nga përmbytjet./tvklan.al