Askush nuk e besonte se çfarë kishin bërë, se çfarë kishin arritur pasi mposhtën Anglinë në gjysmëfinale.
Kroacia do të luaj për herë të parë në historinë e saj në një finale Botërori dhe kjo deri para pak ditësh ishte thjeshtë një ëndërr edhe për vetë futbollistët. Luka Modric, kapiteni i kroatëve pas ndeshjes ka filluar të lotojë edhe pse duhet të ishte një festë e madhe për ta.
Modric është treguar lider i kombëtares së tij në këtë Botëror dhe ka arritur të tregojë vlerat se është mesfushori më i mirë në botë në pozicionin e tij. Pas ndeshjes në një intervistë për mediat kroate, Modric me fjalët e tij ka përlotur gjithë sportdashësit. Ai është pyetur se pse ka qarë kur tashmë është në finale dhe Luka tregon vuajtjet që ka kaluar për të ndërtuar një karrierë të tillë, të cilat duket se kanë lënë shenjë në jetën e tij.
Gazetari: “Të pamë duke qarë. Megjithëse, ju keni fituar gjithçka,dhe jeni përshtatur me fitoret.Çfarë emocioni te veçantë provuat të çoni ekipin e vendin tuaj në një finale të kampionati botëror? ”
“Është një gjë fantastike. Në fishkëllimin përfundimtar i mbylla sytë dhe kujtova gjithë fëmijërinë time, luftërat dhe mungesën e ushqimit. Si fëmijë gjatë luftës, jashtë hotelit që na strehonin si refugjatë, fillova të godisja topin në mure. Ëndërroja të luaja në stadiumet dhe evenimentet më të mëdha dhe për tu larguar nga çdo gjë më rrethonte. Doja të bëhesha futbollist. Të tjerët më vështronin dhe më konsideronin një të sëmurë mendor.
Mendoja për futbollin, në një kohë të tillë të vështirë por unë vetëm dëshiroja të luaja, dhe e mbaja topin midis këmbëve të mia duke mos menduar për asgjë tjetër. Kur përfundoi lufta, babai im, i cili në ndërkoh kishte gjetur punë si mekanik për ushtrinë, më regjistroi në një shkollë futbolli.
Tek Hajduku i Splitit me refuzuan dy herë. Ata thanë se nuk mund të luaja sepse isha tepër i dobët dhe eshtrat e mia ishin shumë të vogla.
Pastaj babai më regjistroi në Dinamon e Zagrebit. Që nga ajo ditë gjërat ndryshuan. Sot jam këtu në finalen e Kupës së Botës me Kroacinë time. Si mund të mos qaj?”, kanë qenë fjalët e lojtarit të Real Madridit pas sigurimit të finales së Botërorit.