Në emisionin Botërori “Rusi 2018”, në Ora News, u transmetua mbrëmjen e djeshme një kronikë që raportonte se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishte shpallur në ‘formacionin më të mirë’ të kryebashkiakëve të botës. Të tilla lajme përgatiten zakonisht në Bashkinë e Tiranës dhe më pas u shpërndahen televizioneve dhe portaleve.
Por të pranishëm në studio, dy anëtarët e Partisë Demokratike, Ina Zhupa dhe Julian Deda kanë kritikuar drejtuesit e emisionit për hapësirën që i lanë në dispozicion propagandës së Veliajt.
E para që reagoi ishte zëdhënësja e PD dhe më pas iu bashkua edhe Deda. Ata thanë se televizioni duhet të kishte interesa personale përderisa i la një hapësirë të tillë kryebashkiakut.
“Nuk e kuptoj se si mund të bësh 5 minuta kronikë për Erion Veliajn. Duhet të keni ndonjë interes personal ju si televizion”, iu drejtua Deda moderatorit Gerti Çarçani, i cili u përpoq të justifikohej duke thënë se kronika nuk ishte më shumë se 2 minuta.
Edhe të ftuarit e tjerë në studio kërkuan që të ktheheshin te diskutimi për futbollin, duke lënë jashtë debatit Veliajn.