Historia e kësaj të diele te “Shihemi në gjyq” mund të konsiderohet si “rast i nxehtë” për vetë faktin që konflikti gjendet në një rreth kushërinjsh. Ylli ka kontaktuar moderatoren dhe ndërmjetësen e “Shihemi në gjyq”, zonjën Eni Çobani për t’i dhënë zgjidhje problemit që ka me kushëririn e tij Festimin.
E sado që flasim për kujdesin që duhet të bëjnë shqiptarët me dokumentacionin, prapë mirëbesimi triumfon dhe ky rast është thjesht dhe vetëm mirëbesim.
Ylli: Unë para dy vjetëve shkoj në Vlorë në fshatin Panaja. Me Festimin jemi kushërinj të dy, ka një pikë karburanti aty, edhe e pyeta nëse e shet, e shes tha. I thashë që do ta blej unë.
I dhashë një kapar, edhe ramë dakord, meqe jemi kushërinj nuk bëmë as letra as asgjë. Mbas njëfarë kohe shkoj në fshat, i bie telefonit, ai nuk më del. E marr prapë në telefon më doli i thashë o Festim, si do të bëhet puna e asaj, muhabetit që kemi bërë bashkë?
Më tha mos e vrit mendjen se do ta rregullojmë. Shkoj bashkë me tim bir për ta kërkuar, fillimisht te karburanti, pastaj në shtëpi, më tha e shoqja që nuk ishte aty. Edhe për dy vjet ky u zhduk fare. Unë jam zënë edhe me familjen. Ai më ka lënë në mes të katër rrugëve, më ka ndarë me familjen.
Festimi ka fituar të drejtën për të ndërtuar një pikë karburanti me leje ndërtimi nga ligjet e kohës në vitin 1993. Pas 3 vitesh në vitin 1996, ai është përballur me një proces gjyqësor dhe i është rrëzuar e drejta duke pretenduar që kjo tokë në të cilën Festimi kishte ndërtuar, nuk është pjesë e familjes në fjalë.
Ata nuk e kanë lënë këtu këtë histori por kanë rifilluar përsëri gjyqet.
Ndërmjetësja Eni Çobani i drejtohet Festimit me pyetjen: Nga momenti që kanë filluar gjyqet, kush ka qenë interesi juaj dhe legjitimiteti aktiv, për të qenë palë në këtë proces dhe për të marrë vesh që kjo pronë në të cilën keni ndërtuar vazhdonte të ketë qenë pronë e shtetit, sikundër jua kishte dhënë shteti, apo vazhdon të jetë pjesë e familjes në fjalë?
Festimi: Në atë kohë unë e kam marrë pronën me dëshmitarë, unë e kam marrë pa e njohur pronarin, në momentin që unë kam marrë leje ka qenë tokë-shtet. Toka është marrë në ’93-shin pa e njohur pronarin, mbas një viti ka dalë ligji për njohjen e pronarëve. Këtu filluan problemet sepse dolën disa persona që pretendonin pronësinë e tokës.
Juristja Eni Çobani sqaron se nëpërmjet një vendimi gjykate, Festimi e humbet pronësinë pasi gjykata vendos t’ia kalojë atë pretendueses Bako Alliraj. Megjithatë kjo nuk e ka penguar Festimin që më vite më vonë t’i marrë kapar kushëririt të tij Yllit, pasi kishin rënë dakord për të shitur karburantin.
Që nga ajo kohë Festimit iu desh të ndiqte një sërë seancash gjyqësore ku e fundit ka qenë ajo e vitit 2012. Me vendim të formës së prerë, ai humbet pronësinë mbi truallin.
Ligjërisht Festimi pronën e kishte të humbur.
Ardit Gjebrea: Kur Ylli të dha shumën e parave, pse nuk i thatë që për momentin kjo tokë nuk është e imja?
Festimi: Ky ishte gabimi im për të cilin i kërkoj falje…
Çobani sqaron se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme që tejkalon gjysmën e vlerës së objektit.
Edhe pse bashkia e qytetit Vlorë i ka dhënë lejen e ndërtimit Festimit, Komisioni i Kthimit të Pronave vite më vonë ka njohur Bako Allirajn si pronare.
Juristja Çobani sqaron se ai duhet të japë shtëpinë plus dhe pikën e karburantit.
Çobani: Pas vitit 1996 vijmë në vitin 2005, ku paditëse është zonja Nizajete Kapaj, e bija e Riza dhe Bako Alliraj. Ajo ngre padinë me objekt lirim dhe dorëzim trualli, pagim qiraje për 3 vjet e 9 muaj, zonja e ka humbur gjyqin në shkallë të parë dhe në apel. Në vitin 2012, Nizajete ngre përsëri padinë. Me të njëjtët palë me të njëjtin objekti gjykimi ajo fiton kundër Festimit. Një palë gjyqtarësh ia ka dhënë Festim Allirajt në vitin 2006 ndërsa pala tjetër ia ka dhënë zonjës Nizajete Kapaj në vitin 2012, në të njëjtën gjykatë.
Ylli kërkon tokën për të cilën ka dhënë kapar. Mirëpo Festimi jo vetëm që tokën e ka humbur por pala që e ka fituar atë i kërkon atij edhe dëmshpërblimin për përdorimin e sendit nga dita që ai ka filluar pikën e karburantit dhe deri më sot dhe është një shifër marramendëse.
Çobani: Në të njëjtën gjykatë por me një trup tjetër gjykues, në vitin 1996, me paditës Vexhi Xhaferri, e paditur Bako Alliraj, me objekt gjykimi kundërshtimin e vendimit që kishte bërë Bako Allirajn pronare të kësaj pronë në vitin 1993. Gjykata vendos shfuqizimin e vendimit duke shndërruar pronar zotin Vexhi Xhaferri. Pronar sipas këtij vendimi është Vexhi Xhaferri. Që në vitin 1996.
Kjo është edhe drita jeshile për dy kushërinjtë që ata të arrijnë në një marrëveshje, pasi në bazë të këtij vendimi, do të rishikohet vendimi i vitit 2012, i cili ka bërë Nizajeten pronare dhe i ka hequr pronën Festim Allirajt.
Ndërmjetmja e seancës lë të kuptohet se kjo është një zgjidhje për Yllin, por që duhet të ndiqet nga Festimi.