Në Shqipëri ka shpërthyer debati në lidhje me mundësinë që Shqipëria të pranojë emigrantë nga vendet e luftës, ndërsa shifra që lakohet është rreth 600 mijë. Në një reagim në faqen e tij në ‘Facebook’ në lidhje me çështjen në fjalë ka reaguar edhe ministri për Diasporën Pandeli Majko.
Ai thotë se kushdo që ia kërkon një gjë të tillë Shqipërisë është një ‘mik’ i refuzuar i dikujt tjetër dhe për këtë nuk duhet marrë as mundimi që të vijë në Shqipëri.
“Të huajt që të vijnë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri’, shkruan nër të tjera Majko.
Postimi i plotë: 600 MIJE…PYETJE! Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej cdo gadishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës sic janë shqiptarët.
Mediat mund të japin lajme por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë cfarë ofron për të huajt. Në se dikush, nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, padyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”.
Qëllimi është për të shkatërruar strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Eshtë një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun.
Qëllimi është që të ngjalli pasionin e ADN-së për “ruajtjen e territorit” i cili nuk është njerëzor. Krijimi i “antinjeriut” vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore e cila po troket në Europën me politikanë që masin cdo gjë me vota…
Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit. Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.
Askush, dhe për asnjë arsye nuk mund të fyejë kombin shqiptar duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve. Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Cdo familje shqiptare ka migrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.
Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt sic është Shqipëria. Ajo nuk është një “epruvetë” ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me “eksperimente” të tilla.
Grumbullimimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë. Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj.
Në se ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.
Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë. Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq!
Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri. Shqipëria do të ishte e gatëshme të ndajë peshën e cdo krize me familjen e vet europiane por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta…
“Pse dicka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Në se na kërkoni dicka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?”… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!