Nga Adelheid Wölf
“Als Odysseus mich aus meiner Odyssee holte”/”Kur Odiseu më nxori nga odiseja ime”
der.Standart.at
Duke bërë ngjitje në grykën e Llogarasë
“Po vij”, thërriti ai me një zë të qartë ndërkohë që drita e katër elektrikëve dukeshin në errësirën poshtë meje. Odiseja ishte aty. Në shqip ai thirret Odise. Emrin ja kishte vendosur gjyshja e vetë, e cila si duket e kishte kuptuar se sa i zgjuar ishte ai. E kishte dëgjuar thirrjen time të parë, por më vonë e kishte humbur sërisht për shkak të shiut, shkëmbinjve e pemëve dhe sepse kishte rrëshkitur nëpër gurë nga myshku.
Për tu ngjitur nëpër këto shkëmbinj duhej më shumë se gjysëm ore vetëm për të bërë disa metra. Shkëmbinjtë nuk ishin vetëm të rëshqitshëm nga myshku, por kishte dhe shumë gropa të thella në terren. Degët e pemëve nuk është se të ndihmonin shumë dhe ishte kaq pjerrët sa cdo hap bëhej me tentativën për të mos rrëshkitur. Pas gjysëm ore, Odiseja kishte dëgjuar sërisht thirrjen time.
Me ndriçues në kokë
Ishte pothuajse ora dy e natës kur ai më gjeti. Pas tij arriti Maksi dhe tre punonjë policie me mushama shiu ngjyrë të verdhë. “Je plagosur?, “Po-jo”. Më dha fillimisht një banane dhe më tha: “Haje!”. Pastaj nxorri një pulovër të bardhë policie shumë të butë. Në të shkruhej “Polarizing real city”. U ndërrova. Policët më dhanë siguri. Për herë të parë nëpërmjet ndriçuesve të kokës, pashë fytyrat e këtyre burrave. Ndjeva dorën e Odisesë e cila më dukej edhe më e ngrohtë se ndricuesat, e cila nuk më lëshonte. Ndërkohë që i ftohti avullonte nëpërmjet pulovrës, ai më tha: “Në fillim Familja!”, duke më dhënë telefonin e tij me të cilin telefonova motrën time. “Në fillim familja” është gjithashtu dhe një prej postimeve të tij në faqen e vetë Facebook. Familja është ende në qendër të rregullit social në Shqipëri. Më parë, Kanuni i Labërisë, rregullonte lligjin e përbashkët në jug të Shqipërisë, ku mbizotëronte bashkëjetesa. Nuk bëhet fjalë vetëm për mbrojtjen e nderit, por edhe të fisnikërisë, të bujarisë, të besnikërisë dhe mbi të gjitha të mikpritjes.
Tre ekipe shpëtimi
Familja ime mendonte se më kishin gjetur shumë më përpara, pasi Odiseja i kishte marë në telefon duke ju thënë se kishte dëgjuar zërin tim. I kishte qetësuar të gjithë pa e ditur ende se do më gjenin. U ndjeva e turpëruar për faktin se kisha ngritur kaq shumë njerëz për të më kërkuar. E turpëruar se, tre skuadra burrash i ishin ngjitur kësaj xhungle, në kërkim të një austriakeje budallaqe, e cila nuk kishte arritur dot të rrinte në shtegun e duhur edhe pse duhej të kishte kuptuar me kohë se duhej të shmangte rrezikun dhe të mos ikte vend e pa vend.
Odiseja qëndronte përpara meje. “Prit!” më thoshte duke u siguruar që të mos shkelja në vendin e gabuar. “Prit!” më thoshte ndërkohë që kontrollonte shkurret me një shkop, si të ishte Kalorësi i Bukuroshes së Fjetur. “Prit!” thoshte ndërkohë që hiqte myshkun nga gurët për të mos rrëshkitur. “Tani vazhdo!” thoshte, vetëm kur e dinte që mund të hidhja një hap të sigurt.
Fërshëllima dhe thirrje
Maksi ecte pas meje dhe më shtynte kur ngjiteshim, ndërkohë që Odiseja më tërhiqte. Një tjetër punonjës policie udhëhiqte përpara duke ndriçuar rrugën. Në dritën e elektrikëve pashë duart e mia që ishin bërë si sfungjer nga lagështia. Pashë pantallonat e grisura dhe mu kujtuan të gjitha imazhet që kisha brenda vetes. U kujtova se si u kapa me thonj pas pemës dhe se si duke përdorur gishtin tregues dhe të mesit fërshëlleja fortë, siç më kishte mësuar ime motër që kur ishim fëmijë. Pema ishte bërë pika ime e qëndrimit për atë natë. Isha përgatitur që të prisja deri në agim, deri në katër ose pesë sa të zbardhte që të vazhdoja ngjitjen. Por nuk e kisha imagjinuar që ekzistonte dhe Odiseja.
Konsulli i nderit i Austrisë në Tiranë, Arben Malaj, që kishte ardhur kasten nga Tirana në jug, në Parkun Kombëtar të Llogarasë, për të më përshëndetur, më telefonoi nëpërmjet telefonit të Odisesë. Zoti Malaj kishte qenë ministër i financave prej shumë kohësh dhe kishte ngritur në alarm të gjitha agjensitë qeveritare për të më gjetur e shpëtuar. Në shqip është termi “Besa”, e cila përfshin dhe garancinë e sigurisë dhe besnikërisë. Edhe ambasada e mrekullueshme e Austrisë në Tiranë e ka bërë këtë term të vetin. Ambasada dhe Ministria e Jashtëme në Vjenë kishin filluar operacionin e kërkimit me ndihmën e konsullit. Ja përse shihja dritat e helikopterëve mbi kokën time si dhe dritat e automjeteve në anën tjetër të malit, ndërkohë që bateria e telefonit ra plotësisht. Për shkak të “Besës” dhe të të gjithë ndihmuesve të mi, ruajta besimin edhe pse shiu solli me vete edhe të ftohtin.
Duke uluritur me ujqërit
“Ishin ujq ata që ulurinin?” pyeta një ditë më pas. Për disa moment më dukej sikur po ju përgjigjesha zërave njerëzorë. Pas dy ditësh shpëtimtari im Odiseja, me emrin shqiptar Odise Çeloaliaj dhe shefi i tij Nexhip Hysolakoj, më treguan disa foto ujqish që ishin kapur nga telekamerat e parkut të Llogarasë. Janë kafshë elegante dhe të zgjuara, me lëvisje fluide që mund të shihen në telekamerat bardh e zi. “Ishin ujq ata të cilëve ju je përgjigjur” tha Hysolakoj, i cili kishte pasur dhe detyrën e drejtimit të operacionit të kërkimit. Qeshëm të gjithë për këtë keqkuptim. Nuk e denim që ishe ti që fërshëlleje tha Odiseja, menduam se kishe ndonjë person tjetër me vete. Fati im ishte që as policia, as Valteri bariu, as vëllai i tij dhe asnjë prej kërkuesve të tjerë nuk kishte hequr dorë nga kërkimet.
Të gjithë që kërkojnë ndihmë
“Për çdo mik duhet ta humbësh ditën e punës, duhet të humbësh bukën e gojës dhe të varfërohesh, vetëm e vetëm që të mos njollosesh me turp”. Si mik në kuptim të dytë, i referohet Kanuni çdo njeriu që kërkon ndihmë ose strehë. Kur u kthyem në rrugën kryesore, një orë e gjysëm më vonë (kisha rreth 9 orë që isha zhdukur) konsulli më priste aty me një tufë lule të verdha që më kujtonin dritat e shpëtuesve të mi. Edhe vetë drejtori i policisë ishte aty.
Der Standard- TemA