Ditën e sotme në orën 18:00 opozita ka thirrur protestën e pestë kombëtare, duke kundërshtuar mënyrën sesi po qeveriset vendi.
Ende nuk dihet skenari, por sipas gazetarit të Osman Stafa në protestën e sotme nuk do të ketë podium dhe as fjalime, siç ka ndodhur në protestat e mëparshme.
“Ditën e sotme pritet të mos ketë fjalime, çka i lë mundësi një situatë që edhe mund të përshkallëzohet në atë që PD e quan revoltë kundër regjimit të Ramës. Mund të jetë një marshim në rrugët e qytetit”, tha gazetari Osman Stafa.
Po ashtu mësohet protestuesit do të shmangin zonën e parlamentit, për shkak se aty ndodhet xhamia e Namazgjasë dhe në këtë periudhë besimtarë të shumtë janë të pranishëm për shkak të Ramazanit.
Megjithatë policia ka marrë masa, duke u angazhuar me mbi 1500 efektive policie. Po ashtu para kryeministrisë është vendosur edhe barriera metalike.