Dita e sotme dominohet nga mot i kthjellët, por me temperatura të ulëta. Maksimumi pritet të arrijë rreth 12°C në jugperëndim, zona më e ngrohtë e vendit. Pjesa tjetër e territorit paraqitet e ftohtë, me mëngjes që ka regjistruar vlera shumë pranë 0°C në shumicën e qyteteve të shtrirjes perëndimore. Në pjesën e dytë të ditës do të ketë vetëm vranësira të lehta dhe kalimtare.

E njëjta tablo sinoptike vijon edhe nesër paradite, me mot kryesisht të kthjellët. Megjithatë, situata ndryshon gradualisht. Minimalet do të rriten me rreth 2 gradë, duke u ngjitur në -2°C në zonat malore, ndërsa në mesditë temperaturat do të shënojnë rritje më të ndjeshme, duke arritur deri në 15°C. Kjo vjen si pasojë e ndryshimit të qarkullimit të masave ajrore, nga veri-verilindje sot në juglindje dhe jug nesër.
Vranësirat do të shtohen vonë në mbrëmje, fillimisht në skajin verior dhe jugor të vendit, duke sjellë reshje të pakta gjatë natës. Pas mesnate, reshjet do të intensifikohen dhe e premtja do të karakterizohet nga rrebeshe afatshkurtra me intensitet mesatar deri të lartë, që do të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit.
Nga mbrëmja e së premtes dhe gjatë fundjavës, moti përmirësohet ndjeshëm. E shtuna dhe e diela sjellin kthim të diellit, por edhe rënie të temperaturave, sidomos në mëngjes. Zonat malore do të regjistrojnë -2 deri -3°C, ndërsa maksimumet do të luhaten rreth 12-13°C, vlera tipike për muajin shkurt.
E hëna vijon me mot të kthjellët dhe rritje të lehtë të temperaturave në mesditë, ndërsa mëngjeset mbeten lehtësisht negative në zonat e thella malore. Deri në mesin e javës tjetër pritet mot me diell, por fundi i muajit nuk përjashton rikthimin e rrebesheve afatshkurtra në territor.