Java ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe reshjet do të jenë prezente gjatë gjithë ditëve në vijim. Gjatë ditës së sotme priten reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, por në sasi të pakta. Rrebeshe afatshkurtra do të shfaqen kryesisht në skajin jugor dhe më pak në veriperëndim, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë reshje të herëpashershme.
E njëjta situatë vijon të martën, të mërkurën dhe të enjten, me vranësira të shpeshta dhe reshje të dobëta shiu. Sonte në mbrëmje pritet një pakësim i reshjeve, të cilat gjatë natës do të mbeten të izoluara, kryesisht në zonat lindore pranë kufirit.
Nga mbrëmja e së enjtes dhe në vijim moti bëhet më aktiv. E premtja dhe e shtuna sjellin rrebeshe shiu thuajse në të gjithë territorin shqiptar, ndërsa edhe dita e dielë do të shoqërohet me reshje me intensitet mesatar. Reshjet e dëborës do të jenë të izoluara dhe të kufizuara vetëm në zonat malore mbi 1.200 metra lartësi.
Sa i përket temperaturave, moti mbetet relativisht i ngrohtë për muajin shkurt. Sot maksimumet arrijnë 15–16°C, ndërsa nesër pritet një rritje deri në 18°C. Të mërkurën termometri ngjitet deri në 19°C, ndërsa nga e enjtja e në vijim temperaturat do të kenë vetëm luhatje të lehta, duke mbetur mbi 15°C në orët e mesditës.
Në përgjithësi, deri në fundjavë moti do të mbetet i butë, me reshje shiu të shpeshta, ndërsa dëbora nuk pritet të ndikojë zonat e banuara.