Nga Gianni Parrini, IL TIRRENO
“Nuk arrita t’i shpëtoja”. Nuk arrin të thotë gjë tjetër Durim Kola, 42 vjeç, xhaxhai që, në përpjekjen e dëshpëruar për të ndihmuar vëllanw dhe familjen e tij, të vdekur në tragjedinë e Porcarit, humbi ndjenjat, dhe duke rënë, goditi me forcë kokën. Ai është një i mbijetuar, i shpëtuar nga monoksidi pothuajse për mrekulli. I shtruar gjatë gjithë natës në repartin e urgjencës (OBI) të Cisanellos, dje në mëngjes u la i lirë dhe u kthye në banesën e tij në Porcari, pak larg asaj në rrugën Galgani, në lagjen Rughi, ku jetonte vëllai i tij Arti me familjen.
Pasi u kthye në shtëpi, iu desh të gjente forcën për t’i treguar nënës së moshuar tragjedinë e pamasë që goditi familjen Kola, njerëz të ndershëm, të ardhur në Itali për të punuar dhe të aftë të integroheshin e të fitonin respektin e komunitetit të vogël të Porcarit.
Sapo mori vesh çfarë kishte ndodhur, gruaja pati një gjendje të rëndë shëndetësore: u thirr mjeku, por fatmirësisht nuk ishte e nevojshme shtrimi në spital. Nga ana e tij, Durimi ka zgjedhur ta jetojë këtë dhimbje në një heshtje të përmbajtur dhe dinjitoze. Të afërmve dhe miqve që e pyesin si është, u përgjigjet me pak fjalë, plot keqardhje: “Nuk arrita t’i shpëtoja”.
Mbrëmjen e mëparshme, bashkë me të, në përpjekjen e dëshpëruar për të shpëtuar familjen Kola, ishte edhe Ernest Çela, fqinj 21-vjeçar i Artit.
Ja rrëfimi i tij: “Rreth orës 21:30 pamë të mbërrinte patrulla e karabinierëve me xhaxhin Durim. Ai u afrua për të na pyetur nëse gjatë ditës kishim parë fqinjët tanë. Nuk u përgjigjeshin telefonatave dhe ai ishte i shqetësuar. Nuk e dija nëse ishin në shtëpi, kështu që – bashkë me babanë tim, Durimin dhe dy karabinierët – shkuam te dera. Trokitëm, por asgjë. Atëherë e thyem derën. Shkuam në katin e dytë dhe këtu, në dhomën e vajzës, i gjetëm të katërt shtrirë në tokë, pa ndjenja. Ndërsa karabinierët njoftonin 118-ën, i mata pulsin djalit, Hajdarit, dhe babait të tij, Artit: të dy kishin puls dhe më dukej se bënin disa grimasa. Por pikërisht në atë moment xhaxhai u rrëzua pa ndjenja, dhe duke rënë, goditi fort kokën. Atëherë kuptuam se kishte diçka në ajër dhe se nuk mund të humbnim kohë. Ndërsa po e kuptonim këtë, si unë ashtu edhe dy karabinierët filluam të ndienim marramendje. Ia thashë babait tim dhe dolëm të gjithë me vrap”.
Janë çaste shumë të tensionuara. Kur të katërt dalin jashtë, gjejnë ambulancën e 118-ës që kishte mbërritur ndërkohë. Personeli shëndetësor u jep ndihmën e parë dy karabinierëve dhe Ernestit. Fatkeqësisht jo familjes Kola, që ndodhej ende brenda banesës: “Nuk mundën të hynin sepse nuk ishte e sigurt – shpjegon Ernesti – u desh të prisnin ardhjen e zjarrfikësve. Sa kohë kaloi? Disa minuta”.
Kur zjarrfikësit mbërrijnë, veshin maskat dhe hyjnë. Detektorët e monoksidit që kanë me vete sinjalizojnë një sasi të madhe gazi. Arrijnë në katin e dytë, hapin dritaret dhe nxjerrin jashtë pesë personat që ndodheshin brenda: bashkëshortët Kola, dy fëmijët dhe xhaxhanë që kishte humbur ndjenjat duke u përpjekur t’i ndihmonte.
Personeli i 118-ës mund të japë ndihmë vetëm për këtë të fundit, sepse të tjerët tashmë kishin vdekur dhe për ta nuk kishte më asgjë për të bërë.
Gjesti i altruizmit i Ernestit mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë: po të mos kishte dalë shpejt, edhe ai mund të kishte pasoja serioze. Kur ia vëmë në dukje këtë, ai heziton për një çast, por më pas përgjigjet me vendosmëri:
“Ju çfarë do të kishit bërë? – thotë –. Thjesht u përpoqa t’i ndihmoja, më dukej gjëja e duhur për t’u bërë. Familja Kola ishin njerëz të mirë. E blenë shtëpinë nja dy vjet më parë, pastaj bënë punimet dhe, më në fund, 5–6 muaj më parë, u shpërngulën aty. Por Hajdarin e njihja edhe më parë: jemi pothuajse të njëjtës moshë dhe, edhe pse nuk frekuentonim të njëjtat grupe, herë pas here takoheshim nëpër lokale. Vendi i tij i zakonshëm i takimit ishte Bar Pineta, këtu në Porcari. Ishte një djalë i mirë, mbi të gjitha punëtor. Nuk ka fjalë – përfundon Ernest – për atë që i ndodhi atij dhe familjes së tij”.