Dalin në dritë detaje të reja lidhur me tragjedinë e ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të familjes shqiptare Kola humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit. Mediat italiane raportojnë se mbrëmjen e së mërkurës një telefonatë e dëshpëruar mbërriti në shërbimin e emergjencës 112 në Toskanë.
Telefonata u krye nga Hajdar Kola, 22 vjeç, i cili kërkoi ndihmë duke thënë se motra e tij ishte sëmurë dhe familja nuk e kuptonte çfarë po ndodhte. Vajza, Xhesika Kola, 15 vjeçe, ndodhej pa ndjenja në dhomën e saj, ndërsa prindërit, Arti dhe Jonida Kola, 48 dhe 43 vjeç, po përpiqeshin ta ndihmonin.
Adresa e gabuar dhe vonesa fatale
Gjatë telefonatës, situata u përkeqësua ndjeshëm. Operatori i emergjencës dëgjoi fillimisht dy të rriturit të humbnin ndjenjat, e më pas edhe vetë telefonuesin. Para se të binte pa ndjenja, 22-vjeçari arriti të jepte adresën: Via Galgani, numri 168. Megjithatë, kjo adresë rezultoi e pasaktë. Numri i saktë ishte 186, rreth 300 metra larg.
Dyshohet se gabimi u shkaktua nga gjendja e rënduar shëndetësore dhe efektet e monoksidit të karbonit që po dilte nga bojleri. Për këtë arsye, ambulanca e shërbimit 118, ndonëse mbërriti shpejt në zonë, nuk arriti të lokalizonte menjëherë banesën e familjes.
Ndërhyrja rreth dy orë më vonë
Ekuipazhi i urgjencës kontrolloi banesat përreth, tentoi të rikontaktonte shërbimin 112 dhe kërkoi gjeolokalizimin e telefonit, por pa sukses. Në kërkime u përfshinë edhe karabinierët, si dhe vëllai i Artit Kola, i cili jeton në afërsi. Vetëm rreth orës 21:45, gati dy orë pas telefonatës së parë, autoritetet arritën të hynin në apartament.
Viktimat dhe personat e helmuar
Trupat e pajetë të familjarëve u gjetën në dhomën e vajzës, në katin e dytë të banesës. Edhe pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit u ndjenë keq gjatë ndërhyrjes dhe u transportuan në spital për shkak të marramendjes dhe vështirësive në frymëmarrje. Gjendja më e rëndë u shënua te xhaxhai i familjes, Durim Kola, i cili qëndroi i shtruar në spital gjatë natës.
Jeta e familjes në Itali
Familja Kola kishte rreth pesë vite që jetonte në Itali. Pas një periudhe pune në Greqi, Arti Kola ishte vendosur në Toskanë, ku punonte si piktor. Hajdari ishte teknik elektrik, ndërsa Xhesika nxënëse e klasës së tetë. Vetëm pesë muaj më parë, familja ishte zhvendosur në banesën e re në Via Galgani, e cila ende ishte në proces rinovimi.
Hetimet e prokurorisë
Prokuroria e Luccës ka sekuestruar apartamentin dhe bojlerin, i cili rezulton të jetë i ri dhe i instaluar brenda banesës. Autoritetet konfirmojnë se shkaku i vdekjes ishte rrjedhja e monoksidit të karbonit, një gaz pa erë dhe tepër i rrezikshëm. Zjarrfikësit po hetojnë nëse rrjedhja erdhi si pasojë e një defekti teknik, instalimi të gabuar apo mungesës së mirëmbajtjes, si dhe kush e kishte kryer instalimin.
Dhimbje dhe reagime
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal. Kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, e cilësoi tragjedinë si një dhimbje të madhe për të gjithë zonën. Ndërkohë, në shkollën ku Xhesika ndiqte mësimet, shokët e klasës dhe mësuesit e saj e kujtuan 15-vjeçaren si një vajzë të gjallë dhe të ndjeshme, ndërsa nxënësit kanë nisur të mbledhin shkrime dhe poezi në kujtim të saj.