Skip to content

Shuhet familja me 4 anëtarë, dyshohen shqiptarë

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje, që dyshohet se është me origjinë shqiptare, kanë humbur jetën si pasojë e helmimit me monoksid karboni. Tragjedia u shënua mbrëmjen e së mërkurës në Rughi, një qytet në provincën e Luccës, ku familja u gjet e pajetë brenda banesës së saj.

    Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç. Sipas medias italiane Corriere della Sera, vëllai i 48-vjeçarit, i cili shkoi në shtëpi pasi nuk po merrte përgjigje nga familjarët, u transportua në gjendje kritike në spitalin Cisanello në Piza. Gjithashtu, dy efektivë policie që ndërhynë në vendngjarje u helmuan lehtë, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

    Shërbimet e emergjencës, ambulancat dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, duke hyrë në banesë për të shpëtuar persona të mundshëm të mbijetuar. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të shpërthimit të monoksidit të karbonit, ndërsa ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal.