Skip to content

Çadrat gati nga pasditja, reshje deri të hënën por ..

    Nga orët e vona të pasdites së sotme, çadrat do të jenë të domosdoshme në pothuajse të gjithë territorin shqiptar. Reshjet do të shtrihen fillimisht në skajet veriore dhe verilindore, ndërsa gjatë natës dhe ditëve në vijim do të prekin pjesën më të madhe të vendit.

    Temperaturat mbeten relativisht të larta për stinën. Sot termometri ngjitet deri në 20°C, ndërsa nesër pritet një rënie e lehtë me rreth 2 gradë. Nga e premtja deri të dielën vlerat maksimale zbresin gradualisht në 15–16°C, duke i dhënë motit më shumë karakter vjeshte. Mëngjeset do të vijojnë të jenë të buta, me temperatura minimale nga 2 deri në 4°C.

    Moti do të jetë kryesisht me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra kthjellimi. Sot pasdite dhe gjatë natës priten rrebeshe afatshkurtra në veriperëndim, jugperëndim dhe zonat jugore, ndërsa në qendër reshjet do të jenë të pakta. Nesër dhe gjatë ditës së enjte reshje të dobëta dhe të izoluara, kryesisht në veri dhe jug.

    E premtja shënon ditën me reshje më të përhapura në të gjithë territorin, kryesisht në formë rrebeshesh afatshkurtra. E shtuna vijon me reshje të pakta, ndërsa e diela dhe e hëna sjellin një intensifikim të lehtë të reshjeve.

    Pavarësisht prezencës së reshjeve nga sot pasdite deri të hënën, nuk parashikohen situata problematike. Reshjet do të jenë të shkurtra dhe të shpërndara, pa rrezik për përmbytje.

    Era mbetet elementi më problematik për sot dhe nesër, me drejtim jugor. Dobësimi i saj pritet vetëm nesër vonë në mbrëmje. Nga fundjava era ndryshon drejtim në perëndim-veriperëndim, duke sjellë edhe rënien graduale të temperaturave drejt vlerave më tipike të dimrit në fillim të javës së ardhshme.

    Sot, deri në pasdite, shfrytëzoni intervalet me kthjellime. Më pas reshjet bëhen pjesë e motit për disa ditë, por pa shqetësime serioze.