Skip to content

Pasi foshnjat e konsumuan, “zgjohet” AKU: U bën thirrje qytetarëve të kthejnë qumështin e kontaminuar

    Një tjetër rast alarmues për sigurinë ushqimore në vend dhe një reagim që vjen, si zakonisht, me vonesë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA”, pasi është konstatuar prania e një bakteri të rrezikshëm, Bacillus cereus, në formulën për bebe.

    Sipas njoftimit zyrtar, sinjalizimi ka ardhur nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF), me referencë 2026.0663, pas kontrolleve të kryera në Gjermani. Aty është zbuluar prania e cereulide, një toksinë e prodhuar nga Bacillus cereus, e rrezikshme sidomos për shëndetin e foshnjave.

    Produkti i prekur është:

    •APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED

    •Nr. artikulli: 172911

    •Skadenca: 10/11/2026

    AKU njofton se inspektorët janë angazhuar për tërheqjen e produktit nga tregu dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse e kanë blerë, ta mos e përdorin dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.

    Por problemi kryesor mbetet reagimi me vonesë.

    Sa kohë ka qenë ky produkt në treg?

    Sa foshnja e kanë konsumuar?

    Pse prindërit informohen vetëm pasi alarmi vjen nga jashtë dhe jo nga kontrollet e vetë AKU-së?

    Flitet për një produkt jetik për foshnjat, ndërsa kontrolli real duket se bëhet vetëm kur institucionet europiane ngrenë alarmin. Ndërkohë, prindërit mbeten të pasigurt dhe të painformuar në kohë.

    AKU duhet të japë sqarime të plota dhe transparente, sepse siguria ushqimore nuk mund të funksionojë me parimin “më mirë vonë se kurrë”, sidomos kur në lojë është shëndeti i fëmijëve.