Reportazhi i La Stampa: Tragjedia e Klaudios, humb jetën në moshën 20-vjeçare pasi makina e tij u përplas me një kamion në Staffarda
Aksidenti, i dyti me pasojë humbje jete në rrugët e provincës Granda në vitin 2026, ndodhi dje në rrugën shtetërore “Dei Laghi di Avigliana”, mes Saluzzos dhe Crocera di Barge.
Ishte vetëm 20 vjeç Klaudio Gjoka, i riu nga Saluzzo, me origjinë shqiptare, që humbi jetën pasditen e djeshme si pasojë e një aksidenti rrugor.
Ai po drejtonte një automjet tip Audi A3 dhe po udhëtonte në rrugën shtetërore “Dei Laghi di Avigliana”, në segmentin mes Saluzzos dhe Crocera di Barge.
Kushtet e dukshmërisë nuk ishin të mira; pas një paradite me mjegull, rreth orës 12:30, kur ndodhi aksidenti, zona ishte ende e mbuluar nga një mjegull e lehtë. Ngjarja e rëndë ndodhi jo shumë larg abacisë së Staffardës, në një segment të gjatë të drejtë rruge, në territorin e bashkisë Revello.
Përplasje e fortë dhe fatale
Dinamika e aksidentit po hetohet nga karabinierët e Saluzzos, por deri tani është konfirmuar se përplasja mes automjetit të Gjokës dhe një kamioni që lëvizte në drejtim të kundërt ka qenë ballore. Një goditje shumë e fortë, e cila nuk i la asnjë mundësi mbijetese të riut. Ai u nxor nga mjeti i shkatërruar nga zjarrfikësit dhe personeli mjekësor i shërbimit emergjent 118, por u konstatua pa shenja jete.
Gjendja shëndetësore e drejtuesit të kamionit nuk është e rëndë dhe nuk raportohet për mjete të tjera të përfshira në aksident. Segmenti rrugor mes kryqëzimit për Cardè dhe rrethrrotullimit të Crocera di Barge qëndroi i mbyllur për qarkullimin për rreth dy orë, për të mundësuar ndërhyrjen e ndihmës, kryerjen e verifikimeve dhe largimin e mjeteve të aksidentuara.
Klaudio Gjoka banonte në Saluzzo, ku familja e tij ishte vendosur prej vitesh pasi kishte ardhur nga Shqipëria. I lindur në vitin 2005, ai kishte ndjekur drejtimin CAT – Ndërtim, Ambient dhe Territor (Gjeometër) në institutin Denina të Saluzzos dhe së fundmi kishte hyrë në tregun e punës. Ende nuk është përcaktuar data e ceremonisë mortore.

Një bilanc tashmë dramatik
Me humbjen e jetës së Gjokës, numri i viktimave në rrugët e provincës që nga fillimi i vitit shkon në dy. Më 14 janar, në Savigliano, kishte humbur jetën Carmen Ciontos, 56 vjeçe, me origjinë rumune dhe banuese në Villafranca Piemonte, në provincën e Torinos. Ajo ishte ndjerë keq gjatë drejtimit të automjetit, kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur me një mjet të rëndë. Aksidenti kishte ndodhur në rrugën Cervino, përgjatë rrugës shtetërore 20 në Savigliano.