Në 10 janar të këtij viti një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Vjosë të Fierit, ku 46-vjeçari Altin Meçaj dhe babai i tij, ranë preh e një dhune të ashpër në banesën e tyre.
Teksa foli nga spitali, Mecaj i cili ishte me plagë të shumta në trup, akuzoi si autor të ngjarjes policin Fredi Lamaj, dhe sipas tij, e gjitha ndodhi pas një komenti në “Facebook” të motrës së Fredit.
Kjo e fundit ka reaguar ditën e sotme duke hedhur poshtë këto akuza dhe duke deklaruar se vëllai i saj nuk ka marrë pjesë në asnjëlloj dhunimi. Madje ajo ka publikuar disa mesazhe që i janë dërguar nga i dhunuari, të cilat i konsideron përndjekje.

“Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta. Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet. Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë. Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë. Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje”, thotë zonja të cilës në mesazhe i përmendet emri si “Fize”.
Ajo shton: “Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve. Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar. Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time”.
Për këtë ngjarje Fizja thotë se ka bërë dhe një kallëzim penal në polici për përndjekje, pasi komunikimi i Mecajt pretendon se është i përsëritur edhe ndaj vajzave të tjera.
Sipas Mecajt, në datën 10 janar i ka ardhur një mesazh ku i thonin “Nuk e di me kë je mplekusr” nga Fredi Lamaj, vëllai i Fizes.
“Në orën 11 që kam arritur në shtëpi janë fikur dritat, unë jam thirrur në emër për të dalë jashtë dhe unë dalë dal në derë aty më qëllon direkt pa një pa dy edhe më përsërit ato të mesazhit. Ishin të paktën tre persona. Në qoftë se unë jam gabim ka dhe falje, në qoftë se për një “like” në apo edhe një koment.. ka dhe falje. Po që të arrijë në një fazë të tillë të më bëjë mua për spital… Kërkoj që kjo mos përsëritet më edhe dua të drejtën time,” deklaroi ai për mediat disa ditë më parë.
Shkrimi u mor nga TVA News!