Moti nis sot me rritje të ndjeshme të temperaturave, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë. Vlerat termike janë rritur me rreth 4 gradë në orët e para të ditës dhe me 4–5 gradë gjatë mesditës. Megjithatë, mëngjesi mbetet i ftohtë në zonat e thella malore, ku termometri zbret në -7 deri në -8°C.
Gjatë ditës së sotme priten kthjellime dhe vranësira të herëpashershme në jug dhe lindje, ndërsa vranësira më të dukshme do të mbizotërojnë në veri, veriperëndim dhe pjesërisht në zonat qendrore, përfshirë edhe kryeqytetin. Reshje nuk parashikohen.
Për pesë ditët në vijim pritet vijim i rritjes së temperaturave dhe mot kryesisht i kthjellët deri në fundjavë. Të mërkurën vlerat termike rriten sërish, veçanërisht në mëngjes, ku minimumet në zonat malore ngjiten në rreth -4°C, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare temperaturat luhaten nga 5 deri në 11–12°C. Maksimumet gjatë ditës arrijnë deri në 15°C.
Edhe dita e enjte do të karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare, me një rritje shumë të lehtë të temperaturave, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë. Vlerat mbeten tipike për dimrin dhe muajin janar, me minimume rreth -3°C dhe maksimume deri në 16°C.
Nga e premtja dhe në vijim temperaturat vijojnë rritjen. Të shtunën pritet që maksimumet të jenë pranë 18°C. Ndërsa dita e diel sjell shtim të vranësirave dhe mundësi për reshje të pakta në pjesën e dytë të ditës, kryesisht në veri dhe veriperëndim. Në zonat e thella malore reshjet do të jenë në formë dëbore, ndërsa në Shkodër dhe Lezhë pritet shi.
Në përfundim, ditët në vijim do të shënojnë mot më të ngrohtë dhe relativisht të qëndrueshëm, me përjashtim të fundjavës ku rikthehen vranësirat dhe reshje të izoluara.