Kursi i këmbimit euro-lek ka arritur një minimum të ri historik në prag të festave të fundvitit.
Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, këtë të martë euro është këmbyer me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Agjentët e këmbimit valutor bëjnë me dije se në ditët e fundit është vërejtur një ofertë e shtuar e valutës së huaj në treg, një fenomen që konsiderohet sezonal. Kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të euros, duke ndikuar në forcimin e mëtejshëm të lekut.
Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi euro-lek ka shënuar një rënie vjetore prej 2.1%, nivel më i moderuar krahasuar me vitet e mëparshme.
Ekspertët vlerësojnë se stabiliteti relativ i kursit gjatë këtij viti lidhet kryesisht me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, më shumë sesa me ndikimin e drejtpërdrejtë të forcave të tregut.
