Pranverë në mes të dhjetorit.
Kështu e parashikojnë këtë javë sinoptikanët, me mot të qëndrueshëm dhe orë të gjata me diell.
“Pashikohet të jetë në kushte të qëndrueshme atmosferike, duke bërë që në vendin tonë të kemi alternime kthjellimesh, kalime të shpeshta të vranësirave. Gjatë orëve të para të mëngjesit dhe të mesditeve, dominante do të kemi intervalet e gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin shqiptar”, u shpreh sinoptikani, Hakil Osmani.
Temperaturat e ajrit do të vijnë në rritje si në vlerat minimale dhe ato maksimale.
“Duke filluar nga dita e martë dhe në vijim, do të kemi rritje graduale të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të kulmojnë në mesjavë, ditën e mërkurë dhe ditën e enjte, me rreth 23°C në qytetet e vijës bregdetare, kryesisht në jugperëndim të territorit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e Ultësirës Perëndimore, temperaturat e ajrit do të jenë nga 20°C-22°C. Maksimumet në zonat malore do të jenë rreth vlerës 15°C”, u shpreh sinoptikani.
Sipas meteorologëve gjysma e dytë e muajit dhjetor do të jetë e thatë dhe nuk priten reshje shiu.