Skip to content

Bill Gates shokon me deklaratën: Vdekjet e fëmijëve nën 5 vjeç pritet të rriten..

    Vdekjet e fëmijëve nën moshën pesë vjeç pritet të shënojnë rritje këtë vit, për herë të parë gjatë këtij shekulli, sipas Bill Gates, në një deklarim të bërë në parathënien e raportit vjetor të Fondacionit Gates.

    Në raportin “Goalkeepers”, Gates pohon se në vitin 2025 numri i fëmijëve që humbasin jetën para moshës pesë vjeç mund të arrijë në rreth 4.8 milionë, rreth 200 mijë më shumë krahasuar me vitin 2024, kur kjo shifër ishte rreth 4.6 milionë. Sipas të njëjtit raport, në një perspektivë afatgjatë, vdekjet e fëmijëve në nivel global mbeten më të ulëta se në vitin 2000, duke qenë se janë përgjysmuar gjatë dy dekadave të fundit.

    Në parathënien e dokumentit, Bill Gates shprehet se progresi i bërë ndër vite në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, sipas tij, po përballet me pengesa të reja.

    Raporti i Fondacionit Gates thekson se shkurtimet e ndihmave ndërkombëtare, të cilat kanë nisur në fillim të vitit nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas janë reflektuar edhe nga donatorë të tjerë si Britania dhe Gjermania, kanë ndikuar në këtë situatë. Sipas përllogaritjeve të raportit, ndihma globale për shëndetësinë ka rënë me rreth 27% krahasuar me një vit më parë.

    Fondacioni Gates vlerëson se këto shkurtime, të kombinuara me faktorë të tjerë si borxhet e larta të shteteve dhe kapacitetet e kufizuara të sistemeve shëndetësore në disa vende, kanë ndikuar në ngadalësimin e përmirësimeve në shëndetin e fëmijëve.

    Në raport thuhet gjithashtu se, nëse nivelet aktuale të financimit mbeten të pandryshuara, numri i vdekjeve të fëmijëve mund të rritet ndjeshëm deri në mesin e këtij shekulli.

    Të dhënat e paraqitura bazohen në modele statistikore të përgatitura nga Instituti për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit pranë Universitetit të Uashingtonit.