Ngjarje e pazakontë në Tiranë: 37-vjeçarja shkakton dëmtime në banesën e partnerit, procedohet nga policia
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në kryeqytet, ku një grua 37-vjeçare është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka shkaktuar dëmtime duke vënë zjarr në banesën e partnerit të saj.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Komisariatit nr. 4, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti me motive personale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasen H. L., 37 vjeçe, pasi dyshohet se ka djegur pjesërisht banesën në pronësi të partnerit të saj,” – thuhet në njoftimin e policisë.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë konstatuar dhe po dokumentohen nga grupi hetimor.
Policia po vijon veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë incident.