Pas përmbytjeve, vjen përmirësimi: Diell për disa ditë me radhë në Shqipëri dhe Kosovë
Pas fundjavës me reshje të dendura që sollën probleme dhe përmbytje në disa zona të vendit, kjo javë pritet të sjellë qetësim të motit. Sipas parashikimit të meteorologes Lajda Porja nga “MeteoAlb”, reshjet do të vazhdojnë edhe sot, por me ndërprerje të shkurtra. Në pjesën e dytë të ditës pritet një zhvillim i vranësirave, me reshje më të përqendruara në veri dhe në qendër, përfshirë edhe Tiranën, ndërsa qarku i Vlorës do të mbetet më i lagështi.
Gjatë natës reshjet do të vijojnë me intensitet mesatar, por pas mesnatës pritet një dobësim i tyre. Të martën në mëngjes reshjet do të jenë më të përqendruara në jug dhe juglindje, ndërsa nga mesdita dhe në vijim moti do të përmirësohet ndjeshëm, duke rikthyer diellin për disa ditë rresht.
Nga e mërkura deri rreth datës 19–20 nëntor, Shqipëria do të përjetojë mot të qëndrueshëm me temperatura më të larta se zakonisht për këtë periudhë. Termometri do të ngjitet në 23–24°C, madje në disa zona mund të kalojë edhe këto vlera, pra rreth 5 gradë mbi mesataren sezonale.
Sipas Porjas, fillimi i dhjetëditëshit të fundit të nëntorit pritet të sjellë një tjetër episod me reshje të forta dhe intensitet të lartë, duke shënuar kthimin e tipareve më tipike të dimrit. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij muaji do të mbetet e ngrohtë dhe e lagësht.
Edhe në rajon situata është e paqëndrueshme. Sot Kosova do të ketë reshje më të shpeshta, ndërsa nesër stuhitë zhvendosen drejt Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ku pritet rrezik për përmbytje. Nga e mërkura, moti do të përmirësohet në gjithë Ballkanin, duke sjellë kthjellime dhe rritje temperaturash deri në 18–20°C në Kosovë dhe Maqedoni.
Pra, pas një fillimi jave të lagësht, shqiptarët mund të lënë çadrat mënjanë për disa ditë me diell, përpara se reshjet të rikthehen sërish në fund të muajit.