Skip to content

Iku në punë dhe nuk u kthye më: kërkohet ndihma për gjetjen e shqiptares në Itali

    Prej gati një jave nuk ka asnjë gjurmë nga 35-vjeçarja shqiptare Floresha Prengu, e cila jeton në qytetin e Trentos në veri të Italisë. Familjarët dhe komuniteti shqiptar në zonë kanë ngritur alarmin dhe po kërkojnë ndihmë për ta gjetur.

    Sipas njoftimit të publikuar nga organizata “Shkolla Shqipe ‘Artur Lleshi’”, Floresha është larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 22 tetor, për të shkuar në punë, por nuk është kthyer më dhe nuk ka kontaktuar me familjen që prej asaj dite.

    Familjarët shprehen të shqetësuar dhe thonë se mungesa e saj është krejt e pazakontë. Floresha është nënë e dy vajzave të vogla dhe sipas të afërmve nuk kishte dhënë asnjë shenjë problemesh më herët.

    Autoritetet italiane janë njoftuar dhe po punojnë për gjurmimin e saj, ndërsa komuniteti shqiptar në Trento u bën thirrje qytetarëve që nëse kanë informacion të kontaktojnë menjëherë numrin emergjent 112.

    Familja dhe miqtë shpresojnë që 35-vjeçarja të gjendet sa më shpejt dhe të rikthehet pranë vajzave të saj.