Më shumë se 700 shkencëtarë, politikanë, sipërmarrës dhe figura publike – përfshirë edhe personalitete të njohura të djathtës amerikane si Steve Bannon dhe Glenn Beck – kanë kërkuar ndalimin e zhvillimit të një superinteligjence artificiale, me qëllim shmangien e rreziqeve të mundshme për njerëzimin.
Iniciativa është ndërmarrë nga organizata Future of Life Institute me qendër në SHBA, e cila paralajmëron prej kohësh për pasojat e rrezikshme të inteligjencës artificiale (IA). Ata kërkojnë pezullimin e çdo përpjekjeje për krijimin e një inteligjence që i tejkalon aftësitë njerëzore, derisa të ketë konsensus shkencor dhe mbështetje publike për mënyrën e zhvillimit të saj në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.
Ndër firmëtarët janë figura të rëndësishme nga fusha e IA, si Geoffrey Hinton (fitues i Çmimit Nobel për Fizikë më 2024), Stuart Russell dhe Yoshua Bengio, por edhe emra të njohur nga teknologjia si Richard Branson (Virgin) dhe Steve Wozniak (Apple).
Listës iu bashkuan edhe emra nga politika si ish-këshilltari i Trump-it, Steve Bannon, dhe Susan Rice, këshilltare e ish-presidentit Obama. Në të njëjtën kohë, firmën e tyre e kanë vendosur edhe figura publike si këngëtari will.i.am, si dhe princi Harry me bashkëshorten Meghan Markle.
Sipas Reuters, përfshirja e figurave si Bannon tregon një rritje të shqetësimeve ndaj IA edhe nga e djathta populiste amerikane, në një kohë kur shumë njerëz të lidhur me Silicon Valley kanë role kyçe në qeverinë republikane të presidentit Trump.
Ndërkohë, shumë kompani teknologjike po garojnë për të zhvilluar AI të përgjithshme (AGI) – një formë e inteligjencës artificiale që barazohet me aftësitë intelektuale të njeriut – dhe më tej superinteligjencën, e cila do t’i tejkalojë ato.
Sam Altman, drejtuesi i OpenA ka deklaruar më parë se superinteligjenca mund të arrihet brenda pesë viteve.
Por sipas Max Tegmark, president i Future of Life Institute, një zhvillim i tillë është i papranueshëm pa një kuadër rregullator të qartë. “Ne mund të jemi pro zhvillimit të mjeteve të fuqishme për të kuruar kancerin, por njëkohësisht kundër krijimit të superinteligjencës,” deklaroi ai për AFP.
Ky apel vjen në vazhdën e një letre të publikuar muajin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kërkohej arritja e marrëveshjeve ndërkombëtare për kufizimin e zhvillimit të IA, për të shmangur pasoja katastrofike për njerëzimin.