27. Tetor. Sipas parashikimeve te motit nga Tanja Porja,

Pas ditëve me reshje dhe vranësira të dendura, moti në Shqipëri po përmirësohet gradualisht. Aktualisht rreth 85–90% e territorit ndodhet nën kushte të kthjellëta, me diell dhe mot të qëndrueshëm gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Reshje të lehta e të izoluara do të shfaqen vetëm në zonat lindore dhe juglindore, kryesisht pas mesditës.
Në mbrëmje pritet një shtim i përkohshëm i vranësirave në veri dhe veriperëndim, ku mund të ketë reshje me intensitet të ulët deri mesatar. Këto reshje nuk pritet të shkaktojnë problematika si ato të fundjavës, kur disa zona veriore u përballën me përmbytje.
Gjatë ditës së martë reshjet do të jenë të pakta dhe afatshkurtra, duke u kufizuar në zonat veriore. Pas mesditës moti do të përmirësohet ndjeshëm dhe do të rikthehen kthjellimet në të gjithë vendin. Nga e mërkura e deri në fundjavë, Shqipëria do të mbetet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, me kthjellime dhe vranësira kalimtare, pa reshje të konsiderueshme.
Temperaturat sot variojnë nga 7°C në mëngjes deri në 21°C në mesditë. Nesër pritet një rënie e lehtë e vlerave termike, me mëngjese më të ftohta – rreth 3°C në zonat e thella malore dhe 5–20°C në pjesën tjetër të vendit. Të mërkurën paradite do të jetë ndjeshëm më freskët, ndërsa nga mesdita dhe në ditët në vijim, temperaturat do të shënojnë rritje graduale, duke arritur deri në 25–26°C në orët e mesditës në zonat fushore dhe bregdetare.
Në përfundim, dita e sotme dhe ajo e nesërme shënojnë një stabilizim të motit në pjesën dërrmuese të territorit, me vetëm ndonjë reshje të izoluar në juglindje dhe pa rrezik për përmbytje. Mbrëmja do të vijojë me mot të qetë dhe temperatura të këndshme për periudhën.