Skip to content

Nuk ka zgjedhje më 9 nëntor në Tiranë, Gjykata Kushtetuese pranon ankimimin e Veliajt

    Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës në datën 9 nëntor. Me 8 vota pro dhe asnjë kundër, gjyqtarët vendosën si masë sigurie pezullimin e dekretit të Kreut të Shtetit për zgjedhjet në Tiranë, derisa të shqyrtohet në themel ankimimi i Erion Veliajt.

    “Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.”

    Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në datën 31 tetor për shkarkimin e Erion Veliajt dhe dekretin e Presidentit Begaj, praktikisht zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës nuk mund të mbahen në datën 9 nëntor.

    Nga ky moment, të gjitha afatet dhe përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë pezullohen dhe nuk ka më mundësi që kryeqyteti të shkojë në zgjedhje në datën 9 nëntor.

    Por vendimi i Gjykatës nuk prek pjesën tjetër të dekretit të Presidentit dhe zgjedhjet do të zhvillohen normalisht në 5 bashkitë e tjera.

    Në datën 23 shtator, Këshilli Bashkiak vendosi t’i propozojë qeverisë shkarkimin e Erion Veliajt, bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore, me argumentin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në detyrë.

    Në datën 25 shtator, Këshilli i Ministrave miraton propozimin e Këshillit Bashkiak dhe shkarkon Erion Veliajn nga posti i Kryetarit të Bashkisë.

    Në datën 29 shtator, Erion Veliaj godet shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese dhe Sonila Bejtja caktohet relatore e çështjes.

    Një ditë më vonë, më 30 shtator, Kryeministri njofton Presidentin e Republikës për vakancat e krijuara në 6 bashki, përfshirë edhe Tiranën.

    Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, më 1 tetor shpall 9 nëntorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet në Tiranë dhe në 5 bashkitë e tjera.

    Ekipi i Erion Veliajt i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese dhe kërkon shfuqizimin e dekretit presidencial, si dhe pezullimin e tij si masë sigurie, deri në shqyrtimin e plotë të ankimimit.

    Tashmë është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse do të ketë apo jo zgjedhje në Bashkinë e Tiranës.