Me nisjen e muajit tetor, temperaturat kanë nisur të bien ndjeshëm, ndërsa vjeshta po sjell gradualisht ndryshimet karakteristike të saj.
Kjo stinë tranzicioni, e njohur për lagështinë, luhatjet e temperaturës dhe erërat e freskëta, kërkon kujdes të shtuar për shëndetin dhe mirëqenien tonë.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët japin disa këshilla praktike se si të përgatitemi dhe të përballojmë më mirë këtë periudhë:
- Forconi sistemin imunitar
Vjeshta është sezoni i virozave dhe infeksioneve të frymëmarrjes. Konsumoni më shumë fruta dhe perime sezonale (mollë, kungull, brokoli, karrota), që janë të pasura me vitamina C dhe A. Gjithashtu, përfshini çajra bimorë dhe supa të ngrohta në dietën tuaj.
- Vishuni pak me trashe
Ndryshimet e temperaturës gjatë ditës kërkojnë një veshje me shtresa, që të mund të përshtateni lehtësisht. Mos harroni xhupat e lehtë në mëngjes dhe mbrëmje, si dhe shallin apo kapelen në ditët me erë.
- Kujdes me lagështinë dhe ambientet e mbyllura
Me fillimin e reshjeve dhe rritjen e lagështisë, rreziku për probleme me frymëmarrjen dhe alergjitë shtohet. Ajrosni mirë ambientet, shmangni mykun dhe sigurohuni që banesat të mos kenë lagështi të tepërt.
- Ruani aktivitetin fizik
Mos lejoni që freskia e stinës t’ju pengojë të lëvizni. Ecjet e shkurtra në natyrë, vrapi i lehtë apo palestrat e mbyllura ju ndihmojnë të mbani trupin aktiv dhe humorin pozitiv gjatë ditëve më të shkurtra.
- Mos neglizhoni shëndetin mendor
Rënia e dritës natyrore dhe ndryshimi i ritmit ditor mund të ndikojnë te gjendja emocionale. Mundohuni të qëndroni aktivë socialisht, të kaloni kohë jashtë dhe të merrni sa më shumë dritë natyrale gjatë ditës.
- Vaksinimi dhe vizitat mjekësore
Për grupet më të rrezikuara (të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike), vaksina e gripit rekomandohet nga mjekët. Po ashtu, është momenti i duhur për kontrolle rutinë dhe kujdes të shtuar ndaj simptomave që mund të përkeqësohen me ndryshimin e motit.