Skip to content

Veliaj kundërshtoi vendimin për shkarkimin e tij, Rama bën lëvizjen e papritur..

    Kreu i qeverisë, Edi Rama, i ka çuar vakancën për Bashkinë e Tiranës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Po kështu, Rama ka çuar vakancat dhe për pesë bashkitë e tjera të cilat janë pa një kryetar. Bëhet fjalë për bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.

    Duke kujtuar se ish-kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, ka ankimuar në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij, mbetet që ligji të interpretohet, teksa është caktuar relatorja e çështjes, por jo data e shqyrtimit. Gjykata ndërkohë sqaroi se ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës dhe se shpallja është e barazvlefshme me njoftimin publik.

    Sipas afatave që paracakton ligji, Gjykata Kushtetuese ka afat katër muaj për të vendosur seancë shqyrtimi të këtij ankimimi. Mbetet për t’u parë nëse vendimi i Kushtetueses do të përkojë me procedurat e ndërmarra nga Këshilli i Ministrave për shkarkimin e tij.

    Sakaq, Presidenti i Republikës, ka afat brenda 48 orëve, duke nisur nga sot, për shpalljen e dekretit.

    Kështu, së shpejti do të kemi datën e zgjedhjeve të pjesshme për të gjashta bashkitë në vend, të cilat kanë mbetur pa drejtues.

    Kujtojmë, se Veliaj u shkarkua zyrtarisht nga posti i kryebashkiakut më 25 shtator 2025, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të Këshillit Bashkiak Tiranë. Arsyeja e shkarkimit e tij vjen për mosprezencë në vendin e punës për tre muaj rresht.

    Nga forcat socialiste, për kryeqytetin po kandidon Ogerta Manastirliu, teksa kjo forcë ka ndezur dhe motorët për këto zgjedhje. Nga ana tjetër, opozita ende nuk e ka një emër garues, por po zhvillon negociata për nxjerrjen e një figure kandiduese të përbashkët.