Jeremiah Edu, një qytetar nga Gana, tregon për një përvojë të dhimbshme emigrimi dhe punësimi në Shqipëri, ku gjeti vështirësi të mëdha, padrejtësi dhe presion financiar.
Sipas tij, pas mbërritjes në Shqipëri dhe kontaktit me agjencinë “XIX Pastrime” në pronësi të Alban Muçës, i ishte premtuar një punë. Por realiteti ishte ndryshe, nuk kishte vende pune, dhe Jeremiah u detyrua të gjejë vetë një punë për të jetuar. Pavarësisht përpjekjeve, kur ai gjeti një punë të re, agjencia refuzoi t’i japë pronësinë apo ndonjë përfitim të premtuar.
Në verë, agjencia i ofroi një punë me premtimin e një pagese prej 900 eurosh, duke e bindur të bashkohej me kompaninë e tyre së bashku me disa kolegë afrikanë. Por, kur erdhi muaji i pagesës, ata u përballën me vonesa dhe abuzime. Jeremiah dhe kolegët kërkuan të trajtoheshin në mënyrë të drejtë, duke përfshirë respektimin e orarit të punës, por kjo shkaktoi përplasje, ai u godit me shuplakë, një koleg u godit nga bashkëshortja e pronarit, dhe u kërkua që të largohej nga banesa e tyre.
Situata u rëndua edhe më shumë për Jeremiah. Ai kishte dhënë 1,350 euro për të bërë vizën e një kushëri në Afrikë, por procedura nuk u krye dhe kushëri i tij ndërroi jetë. Përpjekjet për një rimbursim u refuzuan nga agjencia, e cila e konsideroi Jeremiah “njeri të paarsyeshëm”. Në fund, ai u përzu nga kompania në orën 11:30 të natës, duke mbetur pa punë, pa pagesë dhe me borxhe të mëdha.
Situata ka shkaktuar një presion të madh mbi Jeremiah dhe familjen e tij. Telefonatat e vazhdueshme nga Gana, presioni për të kthyer paratë e vizës dhe mungesa e të ardhurave po ndikojnë seriozisht në jetën e tij dhe të fëmijëve. Ai tregon se ka menduar të kthehet në vendin e tij, por borxhet dhe përgjegjësitë e mbajnë të detyruar të qëndrojë në Shqipëri, duke u ndjerë i pafuqishëm dhe i izoluar.
Jeremiah kërkon ndihmë dhe drejtësi, një zgjidhje për pagesat e papaguara dhe respekt për të drejtat e tij si punëtor. Historia e tij tregon për vështirësitë reale të emigrantëve që kërkojnë një jetë më të mirë, por përballen me padrejtësi dhe shfrytëzim, duke nxjerrë në pah nevojën për mbrojtje ligjore dhe solidaritet ndërkombëtar.
REAGIMI I ADMINISTRATORIT TË “XIX PASTRIM”:
Përshëndetje JOQ.
Në lidhje me këtë mesazh të ardhur në redaksinë tuaj, mesazhi i vetëm që mund t’ju përcjell punëtorëve, është që pagesa e ditëve që kanë punuar është bërë e plotë.
Për pjesën e ditëve që s’janë paguar, ata kanë firmosur një kontratë e cila konfirmon që në momentin që një punetor largohet nga puna pa as edhe një ditë lajmerim, ka një gjobë prej 1500 eurosh. Për këtë arsye ditët e fundit të punës nuk janë paguar në bazë të kontratës, për mos marrë parasysh edhe faktin që na detyrohen para në lidhje me gjobën.
Sa për pjesën e dhunës, asgjë nuk është e vërtetë. Bashkëshortja ime ka qenë viktimë e dhunës nga punëtori Afrikan dhe kam dhe një foto të dhunës në krah që ka ardhur si pasojë e dhunës së punëtorit.
Madje ka dhe një kallëzim në polici për punëtorin në fjalë, që është tërhequr nga bashkëshortja me një deklaratë për mos krijuar konflikte të mëtejshme, dhe për t’i dhënë një mundësi punëtorit që të mos përfundojë më keq në një vend të huaj si emigrant duke qenë se e njoh plotësisht jetesën dhe veshtiresitë në emigrim!
Faleminderit!/JOQ/