Skip to content

Njihuni me tezen e Adriatik Lapajt që hyri sot në Parlament si deputete e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”

    Deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Ana Dajko, mandati i së cilës ka qenë ndër më të debatuarit, foli pak për gazetarët pas përfundimit të pjesës së parë të seancës së sotme plenare në Kuvend.

    60-vjeçarja, e cila ka tërhequr vëmendjen pas përplasjes publike mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, mbajti një prononcim për mediat ku pati edhe një moment lapsusi për shkak të emocioneve të forta në këtë debutim të rëndësishëm politik.

    “Mbaj në supe 64 mijë mandate…”, por u korrigjua menjëherë nga gazetarët, të cilët saktësuan se bëhej fjalë për vota, jo mandate.

    Pavarësisht situatës së sikletshme, ajo ruajti qetësinë dhe vijoi me fjalën e saj, duke theksuar angazhimin për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që i besuan votën.

    “Jam këtu për të përfaqësuar çdo qytetar që besoi te ‘Nisma Shqipëria Bëhet’. Do të punoj me ndershmëri dhe përkushtim në këtë mandat që na është dhënë,” u shpreh Dajko.

    Gazetarët e pyetën deputeten Dajko lidhur me origjinën e saj dhe lidhjet me Greqinë, për shkak të disa informacioneve që kanë qarkulluar në mediat e shtetit fqinj që e kanë konsideruar greke.

    “Jam shqiptare, dhe kam të drejtat si shtetase shqiptare.”, tha Dajko.

    Ana Dajko është kushërira e Adriatik Lapajt, e dalë deputete nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.

    Një 60-vjeçare nga Saranda, e panjohur për publikun më parë dhe pa asnjë angazhim politik, e cila do të ulet në Kuvendin e ri.

    Lufta për mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pas një kërkese të pazakontë. Daja i Endri Shabanit, i vendosur fiktivisht në listën e mbyllur, iu drejtua KQZ-së, duke kërkuar që të mos i njihej dorëheqja, pasi, siç tha, nuk mbante mend të kishte firmosur për të hequr dorë nga kandidimi.

    Në këtë ngërç, edhe Kleana Xhuveli, kushërira e Adriatik Lapajt, shpalli ambicien për të marrë mandatin.

    Gjithsesi, vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor vulosi jo vetëm fatin e mandatit të këtij koalicioni, por dhe i hapi rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit dhe sot Dajko u paraqit në Kuvend për seancën e parë.