Skip to content

“Tregoni kujdes orët në vijim” Përkeqësimi i motit, IGJEUM apel qytetarëve: ZONAT më të rrezikuara..

    IGJEUM u ka bërë apel që qytetarët të tregojnë kujdes edhe në orët në vijim, pasi situata meteorologjike do të vijojë të mbetet e përkeqësuar deri në mëngjesin e ditës së diel.

    Sipas IGJEUM qarqet Shkodër, Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në Kukës dhe Fier priten reshje mesatare. Qarqet e tjera do të kenë reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

    Po sipas IGJEUM, reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjitha qarqet, ndërsa intensiteti i lartë i tyre mund të shkaktojë përmbytje të shpejta në zona urbane, sidomos në Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

    Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa për momente të shkurtra deri e fortë në bregdet dhe zonat malore.

    I gjithë vendi u përfshi këtë të shtunë nga moti i keq, duke shkaktuar probleme në disa qarqe. Në Tiranë, era e fortë shkaktoi edhe të lënduar, ndërsa shumë pemë ranë duke dëmtuar biznese e makina. Probleme pati edhe në Durrës, ku uji pushtoi rrugët dhe lundrimi në det u pezullua. Edhe Lezha e Vlora u përballën me reshje intensive e erëra të forta.

    Për shkak të motit të keq, autoritetet në aeroportin e Rinasit pezulluan për rreth 30 minuta fluturimet, me qëllim garantimin e sigurisë për udhëtarët. Ndërsa Policia e Shtetit apeloi për kujdes në rrugë, si nga shoferët ashtu edhe nga këmbësorët.