Skip to content

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, arrestohen 8 persona, zbardhet dinamika e ngjarjes që mori jetën Eraldit. Secili kishte një rol në krim

    Maliq/ Pas hetimeve policore, zbardhet dinamika e vrasjes së 14-vjeçarit, kryer dje, në fshatin Pirg

    Policia e Korçës tha sot se arrestoi 8 persona të cilët i sheh si të përfshirë në vrasjen e Erald Xhejos, djalit 14 vjeç që humbi jetën nga goditje me thikë.

    Tashmë është zbardhur dhe dinamika e ngjarjes. Djali tjetër 14-vjeçar që policiane sheh si autor të dyshuar të vrasjes, pas kryerjes së krimit, tentoi të largohej nga vendngjarja, me automjet.

    Sakaq, babai dhe xhaxhai i autorit të dyshuar, fshehën mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi.

    Katër djem të tjerë, gjithashtu të mitur, ishin të pranishëm gjatë konfliktit mes 14-vjeçarëve. Ata, nëpërmjet deklarimeve në Polici, tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës;

    Ndërkohë, një 34-vjeçar, gjithashtu i pranishëm gjatë konfliktit, tentoi të largohet nga vendngjarja, në të njëjtin automjet me 14-vjeçarin vrasës.

    Duke përmendur arrestimin e këtyre tetë personave, Policia tha se u sekuestruan mjeti prerës (thikë), automjeti me të cilin tentuan të largoheshin 2 shtetasit dhe 5 celularë:

    “Në vijim të veprimeve hetimore dhe policore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP-Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq dhe në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:

    -shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;

    -shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

    -4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

    -shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.”.