Skip to content

Arrestohet 53-vjeçari shqiptar në Itali, rrëmben ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët

    Një grua shqiptare 42-vjeçare dhe dy fëmijët e saj, 7 dhe 11 vjeç, kanë përjetuar ditë tmerri në Itali pasi ish-bashkëshorti i tyre, një shqiptar 53-vjeçar me precedentë penalë për trafik droge, organizatë kriminale dhe trafik qëniesh njerëzore, i kishte mashtruar duke i ftuar nga Shqipëria në Umbria, me premtimin se do t’u siguronte dokumente italiane për fëmijët.

    Sapo kanë zbritur në aeroportin e Perugias më 30 korrik, burri i ka marrë pasaportat dhe telefonat, duke i izoluar dhe duke i mohuar çdo mundësi kontakti me botën jashtë. Gjatë ditëve që pasuan, ai i ka mbajtur të mbyllur dhe ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes, e cila ka pësuar lëndime fizike të vlerësuara të shërueshme për dhjetë ditë.

    Ngjarja mori një kthesë disa ditë më parë, kur një mik i gruas, që nuk po arrinte të lidhej me të, ka njoftuar konsullatën shqiptare. Kjo e fundit ka informuar autoritetet italiane, të cilat kanë vënë në lëvizje karabinierët e Gubbios. Më në fund, 53-vjeçari u lokalizua në makinë me ish-bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët po bërtisnin për ndihmë dhe trokisnin me grushta në dritare.

    Burri u arrestua menjëherë dhe aktualisht ndodhet në burgun e Capanne-s, ndërsa gruaja dhe fëmijët janë vendosur në një strukturë të mbrojtur. Prokuroria e Perugias po shqyrton mundësinë e zhvillimit të një incidenti probator për të fiksuar dëshmitë përpara se nëna dhe fëmijët të mund të kthehen në Shqipëri.