Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Vlorës dhe opinionin publik në mbarë vendin. Një 18-vjeçar, i punësuar si kamerier në një lokal, është dhunuar brutalisht nga ish-shefi i qarkullimit rrugor të këtij qyteti.
I riu, i cili sapo kishte mbushur 18 vjeç, e bëri vetë publike ngjarjen përmes një reagimi ku tregoi rrethanat e dhunës, duke theksuar se ishte duke punuar për të mbuluar shpenzimet e maturës.
Pas incidentit, ka ardhur edhe reagimi prekës i mësueses kujdestare të të riut, Vali Veshaj, e cila e përshkruan nxënësin si një shembull për t’u admiruar:
“Djali sapo ka mbaruar klasën e njëmbëdhjetë. Është me nota të shkëlqyera dhe me një sjellje model. Ka pjekuri dhe kulturë që i mungon personit që e dhunoi. Po punon ndershmërisht për të mbledhur paratë e maturës. Unë jam mësuesja e tij kujdestare dhe e ndiej për detyrë të flas,” – shkruan Veshaj.
Ajo bën një apel të fortë ndaj institucioneve shtetërore, duke kërkuar që dhuna ndaj të rinjve të mos kalojë pa u ndëshkuar:
“Shteti duhet të marrë masa. Kjo është rinia që përpiqet të ndërtojë jetën e vet ndershmërisht, dhe që shpesh nuk gjen asnjë mbështetje,” – thekson ajo.
Ngjarja ka shkaktuar valë reagimesh në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kërkojnë drejtësi për të riun dhe ndëshkim për autorin e dhunës.
Ndërkohë, mbi rastin ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka kërkuar që personi përgjegjës të dalë menjëherë përpara drejtësisë.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa presioni publik për transparencë dhe ndëshkim të dhunës është në rritje.