I vdiq burri ditën që solli në jetë fëmijën e dytë, Milena jep mesazhin që përloti të gjithë publikun

962
0

E ftuar ditën e sotme në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, tek “E diela shqipare” ishte Suela e cila kishte ardhur për të treguar historinë e dhimbshme të mikeshës së saj të ngushtë, Milenës.

Suela tregoi se Milena dhe bashkëshorti i saj kishin një ëndërr, të bënin shumë fëmijë dhe të birësonin gjithashtu. Milena kishte një vajzë me emrin Dea dhe kur ishte viti 2008 ishte shtatzënë me fëmijën e dytë.

Ajo dhe bashkëshorti i saj Genti ishin shumë të lumtur që do të bëheshin sërish prindër dhe madje i kishin vendosur edhe emrin Aron djalit që do të vinte në jetë.

Milena kishte hasur probleme gjatë shtatzënisë dhe i kishte kërkuar Gentit t’i premtonte se nëse diçka nuk do shkonte si duhej, ai të zgjidhte Aronin.

Po atë ditë kur lindi Aroni, e ëma e kishte gjetur Gentin pa jetë në shesh. “Ishim të gjithë në shok. Të nesërmen u bë varrimi por pa ja thënë Milenës se bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë. Ka qenë një dhimbje shumë e madhe. I ra barra të atit për t’ja thënë lajmin e dhimbshëm. Milena mblodhi forcat për të dalë nga materniteti dhe për të shkuar pranë vajzës. Ajo ja doli t’i rriste të dy fëmijët vetëm, por edhe me ndihmën e të gjithë familjarëve, miqve”, tregoi Suela, mikesha e Milenës.

Suela tregoi se Milena më pas birësoi një vajzë jetime. Por në të njëjtën kohë kur iu besua kujdestaria, mori vesh se projekti ku punonte do të mbyllej.

“Sot kam ardhur t’i them Milenës që ajo nuk ka qenë kurrë vetëm. Dua t’i jap kurajo për të vazhduar”, u shpreh Suela duke treguar se Milena shpeshherë thotë se nuk mundet të vazhdojë më, me kaq shumë sfida që i ka vënë përballë jeta.

Milena erdhi në studio dhe nuk e kishte idenë kush mund ta kishte thirrur. Kur pa mikeshën e saj të ngushtë në ekran, u habit, shkruan Xing.al.

“Të kam vlerësuar gjithmonë se ke qenë një grua e fortë. Përpara 10 vitesh, kur vdiq Genti i kam premtuar vetes që do të të ndihmoja deri në fund. Dua të të them që nuk je vetëm, s’do jesh asnjëherë. Dua të dish që Zoti ju do ty dhe fëmijët në një mënyrë të veçantë. Të lutem merr forca dhe vazhdo ec përpara”, i tha Suela Milenës duke i kërkuar mos të thotë më që nuk vazhdon dot më.

“Ka pasur momente që kam thënë që nuk dua të vazhdoj më, kam qenë e lodhur nga të gjitha, nga jeta si grua e ve, duhet të përballoj shumë gjëra, nuk ja dhashë mirëupafshim Gentit. Me Gentin kishim në plan të kishim shumë fëmijë, do merrnim edhe nga jetimorja. Kur vdiq, kjo ëndërr nuk mori fund dhe fëmijët i kam edukuar që një ditë do merrnim një fëmijë që nuk i ka prindërit”, u shpreh me lot në sy Milena duke shtuar në fund se shoqet duhet ta kuptojnë kur ajo thotë se nuk mund të vazhdojë më dhe se këto fjalë i thotë në moment dobësie.

Në fund mikeshat u përqafuan, por nuk mbaroi me kaq. Arditi i tha Milenës se kishte marrë vesh se ajo pëlqente shumë këngën e Flori Nazifit me titull “Mos ik” në “Kënga Magjike”.

Flori erdhi në emision dhe surprizoi Milenën duke i kënduar këngën./Xing.al