E pabesueshme, Neuroshkencëtarët zbulojnë efektet çudibërëse të punës së dorës në trurin e njeriut

1671
0

Flitet shumë rreth shëndetit e mirëqenies. Me dieta ekstreme, duket se të gjithë janë përqendruar si të jetojnë një jetë më të shëndetshme. Por ajo që na mban të shëndetshëm ndoshta s’është një dietë e re ose një rutinë stërvitjesh. Ndoshta mund të përdorim duart dhe fantazinë për mirëqenien e mendjes, trupit dhe shpirtit. Sistemi ynë nervor është i aftë të përpunojë vetëm një sasi të caktuar informacioni njëherësh. Prandaj s’mund të dëgjoni dhe të kuptoni dy njerëz që ju flasin njëkohësisht. Prandaj kur dikush krijon, ekzistenca e tij, përtej atij aktiviteti “pezullohet përkohësisht”. Nuk i mbetet mjaftueshëm vëmendje për të monitoruar mënyrën si ndihet trupi i tij, ose për problemet në shtëpi. S’e ndjen lodhjen ose urinë. Trupi i tij zhduket. Shkenca ka treguar se ky lloj përqendrimi ndër të tjera redukton stresin dhe lufton infl amacionin. Trupat tanë janë në gjendje të vazhdueshme stresi sepse truri ynë nuk e bën dot dallimin mes një debati me shefin e një sulmi nga një ari. Lëvizjet e përsëritura të punës së dorës, për shembull, aktivizojnë sistemin nervor parasimpatik, që qetëson atë reagimin “lufto ose ik”.
Ndaj nuk do të ishte e tepërt të mendonit për punën me shtiza, qëndistarinë, pikturat, kraftet e krijimtarinë në përgjithësi, si një praktikë qetësuese ose ndoshta një formë meditimi. Por kujdes, flasim për atë pjesë të krijimtarisë që realizohet fizikisht, pasi ka punë krijuese si të shkruarit, për shembull, që vënë në punë trurin dhe mund të jenë të lodhshme e të kenë efekt të kundërt me relaksimin. Kohët e fundit neuroshkenca po kryen studime mbi efektet e punës së dorës në shpirtin dhe mendjen e njeriut.

Studimet tregojnë se, puna me shtiza, por dhe forma të tjera si qëndisja, endja dhe thurja me grep kanë shumë të përbashkëta me vetëdijen e meditimin.

Në një studim të bërë online me më shumë se 3.545 njerëz që bënin krafte, nga Betsan Corkhill, një terapiste angleze e specializuar për punën e dorës, e cila ka bërë studime në lidhje me këtë fushë, më shumë se gjysma e atyre që u morën në pyetje u përgjigjën se kraftet i lumturonin. Të tjerë u përgjigjën se punonin me shtiza vetëm për t’u qetësuar, për të larguar stresin e për të qenë më krijues. Studimi zbuloi një lidhje të fortë mes shpeshtësisë së punës së dorës dhe humorit të atyre që morën pjesë në studim. Ata që punonin shpesh me shtiza (më shumë se tre here në javë) ishin më të qetë, të lumtur, kishin më pak ankth dhe më shumë vetëbesim. Studimi u mbyll kështu,
“Puna me shtiza është e dobishme nga ana psikologjike e sociale, duke kontribuuar kështu në mirëqenien dhe cilësinë e jetës”.
Ishte interesante sepse studimi zbuloi se njerëzit që bëjnë punë dore në grup ishin më të lumtur se ata që punonin vetëm. “Përdorimi i punës së dorës për të arritur meditimin i jep mundësinë një popullsie më të gjerë për të shijuar përfitimet e meditimit, pasi s’është e detyrueshme të kuptosh, pranosh ose përfshihesh në një periudhë të gjatë mësimi të praktikës. Kjo ndodh si një efekt anësor i natyrshëm”.

Të tjerë e kanë preferuar punën e dorës për t’u futur në një gjendje “valëvitëse”, atë që psikologu Mihály Csíkszentmihályi e përshkruan si “një gjendje përqendrimi ose përfshirje absolute me aktivitetin e kryer. Është një gjendje ne të cilën njerëzit janë aq të përfshirë në aktivitet, saqë gjithë të tjerat duken të parëndësishme”.

Dhe sipas Corkhill, dhe vetë Albert Ajnshtajni punonte me shtiza gjatë projekteve të tij për “për të qetësuar mendjen dhe qartësuar mendimin”. Studimet tregojnë se këto praktika përmirësojnë depresionin, ankthin, përballjen me vështirësitë dhe reduktojnë ndjeshëm stresin. REVISTA LIVING