Amand Shkëmbi, ekspert i tregut të shit-blerjes së pasurive të patundshme është i mendimit se banesat e mbetura bosh si pasojë e emigrimit janë një aset i fjetur, që nëse do të ishin në treg do të kishin efekt në uljen e çmimeve.
Por, ai konstaton se janë me mijëra banesa bosh, që rrinë të tilla me vite me radhë, duke bllokuar miliona euro në treg.
“Ne shohim që vala emigrimit ndër vite, por edhe së fundmi ka bërë që shumë banesa në të gjithë Shqipërinë të jenë bosh. Emigrantët që kanë pak vite emigrimi nuk e marrin vendimin për të shitur shtëpinë, pasi ende nuk kanë fituar garancinë e jetesës në shtetin ku kanë emigruar. Të vetmit që shesin banesës janë ata që kanë vite në emigrim, ata me mbi 15-20 vite. Pra, ata që nuk kanë më plan për tu kthyer”, tha Shkëmbi.
Të dhënat e Censit evidentuan se 726 mijë objekte banimi nga të cilat 350 mijë prej tyre ishin bosh, nga kjo shifër 170 mijë ishin në pallate. Vetëm në Tiranë vlerësohet se numi i banesa bosh arrin në 50 mijë. Këto shifra janë si pasojë e migrimit, por dhe ofertës së lartë në treg nga ndërtimi.

“Nëse të gjitha këto apartamente që janë bosh nga migrantët do të ishin në treg për shitje apo qira, ju sigurojë që çmimet do të ishin ulur me të paktën 30-40%. Ne kemi mijëra banesa bosh në Tiranë. Nëse ato do të dilnin për qira apo shitje do të kishim dyfishin e produktit në shitje. Kjo do të sillte stabilizim të çmimeve në treg”, deklaroi ai.
Në 2024 numri i pronave të shitua në treg, 31.199. Bëhet fjalë për prona e tituj pronësie të regjistruara në agjencinë e kadastrës. Ndërkohë, nuk ka një të dhënë të saktë lidhur me kontratat e pronësisë, pasi regjistrimi i tyre në ASHK nuk është detyrues.