Mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” ishte e ftuar meterologia Lajda Porja nga “MeteoAlb”. Si çdo fillim muaji, ajo bëri parashikimin e motit sa i takon Marsit.
Sipas saj jemi zyrtarisht në pranverë, prandaj ditë të ngrohta dhe me diell na presin. Vranësirat që na kanë shoqëruar këto ditët e fundit të Shkurtit do të largohen duke u lënë vendin ditëve me diell. Temperaturat do të shkojnë deri në 18-19 gradë Celsius.
“Nuancat e pranverës ndjehen, por nuk mund të themi që i gjithë muaji Mars do të jetë me diell. Kemi parë që herë pas here Marsi ka sjellë dhe episode me reshje. Megjithatë sot dhe nesër..
edhe pse vranësirat janë prezente nuk do të mungojnë as reshjet e pakta, kryesisht në zonat malore. Shira të cilat edhe pse janë të nevojshëm, në të vërtet nuk na bëjnë punë sepse janë shumë të pakët. Në fakt ky sistem vranësirash po largohet gradualisht edhe pse nesër do të mbeten prezente vranësirat dhe reshjet e pakta. Që nga dita e hënë na presin ditë me diell dhe temperatura të larta tipike të pranverës. Aktualisht temperaturat janë në vlerat 15-16 gradë Celsius, pra vazhdojmë të jemi në nuancat e Shkurtit edhe pse u futëm zyrtarisht në pranverë. Fillojmë që nga dita e hënë dhe në vijim që të kemi temperatura 18 apo 19 gradë.”
Megjithatë sipas meterologes data 8 Mars dhe 10 ditët e fundit të muajit do të kenë episode me reshje të pakta shiu.
“Ndërkohë që parashikohet të kemi një episod me reshje në datën 8 Mars, do të jetë me reshje të pakta si reshjet që ne patëm këto ditët e fundit. Pastaj do të kemi ditë me diell. Do të kemi më shumë ditë me diell dhe më pak ditë me reshje, të cilat janë spostuar në 10 ditëshin e fundit të Marsit.”
Për të gjithë fermerët dhe blegtorët Lajda Porja tha se përveç shirave gjatë fundit të muajit, të cilët do të jenë prezentë, por në sasi të pakta, nuk do të mungojnë as rrebeshet dhe breshëri. Prandaj fermerët duhet të marrin masat për të mbjellat e tyre.
“Ajo se çfarë është problematike, është se të paktën deri nga data 15-16 do të kemi temperatura të larta, çelin lulet dhe më pas është fundi i Marsit i cili na përmbys disa gjëra. Pasi nuk përjashtohen rrebesh e shiut dhe breshëri. Megjithatë Marsi në tërësinë e tij do të ketë reshje, por nuk do të plotësohen kuotat mujore. Marsi për nga ana klimatike është shumë i lagësht, pra duhet të ketë reshje, por nuk do të jenë në sasinë mujore. Do të ketë zona që do të jenë nën normën dhe më të thata.”
Sipas meterologes ky vit në përgjithësi pritet që të jetë me temperatura më të larta se viti 2024, i cili u cilësua si viti më i nxehtë në histori. Duke bërë krahasimin me temperaturat e dy muajve të parë të vitit me ato të vitit të kaluar, Lajda Porja tha se kanë qenë më të larta se normalja.