Rasti i 14-vjeçarit me meningit akut dhe heshtja e autoriteteve shëndetësore në Durrës lidhur me masat vijon të shkaktojë panik dhe pasiguri mes prindërve të nxënësve të shkollave 9-vjeçare “Eftali Koçi” dhe “Kushtrimi i Lirisë”, të cilat e bëjnë mësimin në të njëjtën godinë.
Për të tretën ditë radhazi, një numër i madh prindërish refuzojnë të dërgojnë fëmijët në shkollë, duke e konsideruar situatën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e tyre.
Ndërkohë edhe në shkolla të tjera në qytet raportohet një rritje e ndjeshme e mungesave, duke treguar se frika nuk është e kufizuar vetëm te këto dy shkolla.
Prindërit janë të frikësuar dhe nuk dinë si të veprojnë. Kërkesat për vaksinën kundër meningitit bakterial janë rritur ndjeshëm nëpër farmaci, por në Durrës ka mungesë të saj. Sipas depove farmaceutike dhe në Tiranë.
Ndërkaq, prindërit kërkojnë minimalisht dezinfektimin e plotë të shkollës “Eftali Koçi” dhe informacion publik mbi këtë sëmundje me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e të miturve.
Sipas burimeve jozyrtare nga shërbimi epidemiologjik, bakteri që shkakton meningitin akut nuk mund të eliminohet me të njëjtin dezinfektim që Bashkia e Durrësit kreu në gjimnazin “Leonik Tomeo” në dhjetor, pas vdekjes së një nxënëseje nga kjo sëmundje.
Ky informacion u konfirmua dhe nga drejtoresha e shkollës dy ditë parë. Gjithsesi kjo situatë pasigurie ka rritur më tej shqetësimin e prindërve, të cilët kërkojnë veprime më të shpejta dhe të bazuara në rekomandime të sakta.
Në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” po diskutohet mundësia e rikthimit të mësimit online, një masë e ngjashme me atë të pandemisë, por që prindërit nuk e shohin si zgjidhje efektive. Ata theksojnë se masat profilaktike të sugjeruara nga epidemiologët nuk i bëjnë të ndihen të sigurt dhe kërkojnë një përgjigje të qartë nga institucionet për sigurinë shëndetësore të fëmijëve të tyre.
![](https://shqiptari.net/wp-content/uploads/2025/02/3.png)
Shefja e shërbimit të pediatrisë infektive, Profesoreshë Xhorxhina Kuli shpjegoi se situata me meningitin nuk është alarmante, pasi raste me meningit ka pasur gjithmonë.
Ai shfaqet kryesisht pasi fëmija apo një i ri ka kaluar një gjendje virale.
“Do të thosha që ne meningit kemi pasur dhe do të kemi, më i shpejti, ai që nuk të lë kohë të marrësh vendime, është meningiti meningokoksik. Zakonisht shfaqet pas virozëve. Meningokoku ndodhet kudo në natyrë, ne nuk e shmangim dot dhe ai është në të gjitha vendet. Problemi është që kur ke mukoza të paprekura, mund të biesh në kontakt dhe vetë trupi i bën një barrierë që nuk e lejon të kalojë në qarkullimin e gjakut apo në tru. Në momentet që këto mukoza prishen, që kalon një grip, mund të shfaqen shenjat e meningitit”, shpjegon mjekja.
Sipas Prof. Kulit, nënat duhet të jene shumë të kujdesshme për të dalluar shenjat e para.
“Nëse e diagnostikojmë herët, shpëtimi është 100%, nëse 12-24 orë, vihet në pikëpyetje ecuria e sëmundjes. Prindërit duhet të jenë vigjilent nëse shohin temperaturë të fëmijës dhe veçanërisht duhet të kenë mendjen nëse shohin pika në lëkurë”, thotë Kuli.
Të alarmuar nga dy rastet e Durrësit, të cilët u evidentuan brenda një harku kohor të shkurtër, prindërit kanë nisur të porosisin vaksina në vendet fqinje me ne. Por, sipas Kulit nuk ka emergjencë, me përjashtim të rasteve kur fëmija ka probleme të gjakut, bën kimio apo ka imunitet të kompromentuar.
Prof. Kuli këshillon prindërit të bëjnë kujdes, pasi nëse e siguroni në rrugë private kërkon kushte të posaçme./ TCh