Si mund të përfitosh azil politik në Amerike? Avokati amerikan jep përgjigje

1516
0

Një shqiptar i ka shkruar avokatit amerikan Kieran Both, ku e pyet:

Kur jetoja në vendin tim, i tregova një gazetari për një zyrtar të qeverisë që merrte ryshfete. Si pasojë filluan të  më vijnë telefonata kërcënuese për veten dhe familjen time. Kjo më bëri që të vendosja të vija këtu, në Amerikë. A do të më mbrojë qeveria amerikane? A do ta mbajë qeveria e SHBA sekretin tim të aplikimit për azil nga qeveria e vendit tim?”

Përgjigja e avokatit:

Qeveria e SHBA-së mund t’ju mbrojë nëse u jepet azili politik. Njerëzit kanë frikë nga persekutimi sepse kanë sfiduar qeverinë duke e bërë korrupsionin publik. Ata kanë frikë edhe nga hakmarrja nga individë jashtë qeverisë, ndaj të cilëve qeveria nuk është e gatshme t’i mbrojë ose nuk dëshiron t’i mbrojë. Ai individ që informon për veprime të paligjshme për një person ose organizatë që konsiderohet se është përfshirë në aktivitete të paligjshme, këtu quhet “whistleblower”.

Nëse ky informues keqtrajtohet  nga pushteti ose ka frikën e persekutimit në të ardhmen, ai mund të jetë i ligjshëm për azil politik në SHBA. Korrupsioni është akt i pandershëm ose mashtrues nga njerëzit që janë në pushtet. Korrupsioni zakonisht përfshin ryshfetin.

Gjykatat amerikane të emigracionit kanë arritur në përfundimin se  vetëm një shfaqje e hakmarrjes për kundërshtimin e korrupsionit qeveritar nuk mjafton për dikë që t’i jepet azil politik. Aplikanti për azil duhet të krijojë bindje se mendimet e tij të vërteta kundër korrupsionit qeveritar janë një nga arsyet kryesore për të cilat ai ka frikë nga persekutimi i qeverisë.

Një personi mund t’i jepet azil nëse ai mund të tregojë me bindje se persekutuesi beson se ai ka mendime e opinjone kundër sjelljes së korruptuar, edhe se ai nuk i mban ato opinjone vetëm për vete. Aplikuesi i azilit duhet gjithashtu të tregojë se ai do të persekutohet nga qeveria, ose që qeveria nuk është në gjendje  ta mbrojë ose nuk ka  dëshirë ta mbrojë këtë person.

Zyrtarët e korruptuar ndonjëherë e hakmerren ndaj sinjalizuesve duke përdorur banditë apo kriminelë për të bërë punën e tyre të pistë. Kundërshtimi ndaj korrupsionit të qeverisë mund të konsiderohet si një opinion politik  i individit, nëse korrupsioni është bërë i zakonshëm ose është i lidhur me regjimin qeveritar. Opozita ndaj korrupsionit gjithashtu nënkuptohet si një sfidë për pushtetin qeveritar.

Aplikanti për azil do të duhet të tregojë se aktivitetet e tij perceptohen si shprehje të opinjonit antikorrupsion dhe të tregojë me dëshmi se ka shumë korrupsion brenda regjimit qeverisës. Lajmet e shkrimet e mediave janë të vlefshme për të provuar se ekziston një  korrupsioni i përhapur.

Lufta kundër korrupsionit shtetëror përmes veprimtarive politike të tilla si të qënit aktiv në pjesëmarrje në protesta ose fjalime në tubime politike për çrrënjosjen e korrupsionit shtetëror.Të qënit aktiv me shkrime publike apo shpërndarjen e materialeve politike që kritikojnë korrupsionin shtetëror, do të të përbënin shprehjen e mendimit politik. Gjithashtu ekspozimi ose kërcënimi për të ekspozuar korrupsionin qeveritar në mediat apo organizatat mbikëqyrëse joqeveritare, mund të përbëjnë shprehjen e një opinioni politik. Kjo duket përkon me situatën e lexuesit tonë, sepse ai lajmëroi mediat. Secili aplikant i azilit është i ndryshëm dhe çdo kërkesë për azil shqyrtohet në bazë të rasteve individuale.

Çështja e parë në çdo aplikim për azil është nëse aplikanti është persekutuar në të kaluarën, dhe nëse po, a është ky persekutim për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik? Nëse një person nuk është persekutuar në të kaluarën, por ka frikë të bazuar nga persekutimi për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik, mund të jepet azil gjithashtu.

Frika nga persekutimi ka arsye të ndryshme. Është e nevojshme për t’i diskutuar këto arsye me një avokat me përvojë të emigracionit. Ndonjëherë, aplikantët as nuk i kuptojnë arsyet se përse janë persekutuar dhe një avokat me përvojë mund të jetë në gjendje të artikulojë përvojat e kaluara të një personi  me qëllim për të dorëzuar një aplikim ashtu siç duhet për të fituar azilin.

Kur qeveria në një vend ndryshon, nganjëherë nënkupton që kushtet e vendit kanë ndryshuar, por USCIS duhet të bëjë një hetim për faktet specifike të aplikimit të secilit individ. Kushtet e ndryshuara të vendit ndikojnë në mënyra të ndryshme tek  individë të ndryshëm dhe një person mund të ketë frikë për t’u kthyer në vendin e vet.

Azili është një formë e mbrojtjes që lejon individët që janë në Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë këtu. Azilkërkuesit duhet të aplikojnë për azil brenda një viti nga data e mbërritjes së fundit në Shtetet e Bashkuara, veç  në rrethanat të jashtëzakonshme që shkaktuan vonesën në paraqitjen e kërkesës.

Disa individë mund të kenë frikë se qeveria në vendin e tyre do të zbulojë se ata  kanë kërkuar azil në SHBA. Aplikantët e azilit duhet të dijnë se rregulloret mbrojnë konfidencialitetin e informacionit që aplikanti i ofron zyrtarit të Azilit. Nëse USCIS vendos që kërkuesi nuk e gëzon të drejtën për azil, aplikanti i referohet Gjykatës së Emigracionit ose do të marrë njoftim(a notice of intent) me qëllimin për të mos iu pranuar azil. Kjo varet  shumë nëse  aplikanti është në SHBA në mënyrë të paligjshme. Nëse aplikanti nuk është në status të ligjshëm, ose viza e tij ka skaduar, atëherë vendoset në procedurat e largimit  nga Amerika, dmth në deportim.

Qëllimi ynë është që të ndihmojmë komunitetin shqiptar dhe veçanërisht emigrantët me informacion  në mënyrë që të kërkojnë ndihmë  në mënyrë të pavarur.

Ne ju falënderojmë për komentet dhe pyetjet tuaja të vazhdueshme të cilave  do t’u përgjigjem sa më shpejt që të kemi mundësi. Ftojmë pyetjet tuaja në adresën tonë e-mail tek [email protected].

Burimi: Illyria