Vdekja e trishtë e dy vëllezërve: Njëri goditi kokën në dysheme, tjetri kur po kërkonte ndihmë, mbeti..

228
0

Ekspertiza mjeko-ligjore për vdekjen e dy vëllezërve, Sabri dhe Novruz Velaj, 90 dhe 85 vjeç, të cilët u gjetën të vdekur në banesën e tyre në fshatin Çorrush të bashkisë Mallakastër, ka zbardhur shkakun e ndarjes së tyre nga jeta.

Mësohet se dy vëllezërit kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale, rreth katër ose pesë ditë më parë. Sabri Velaj ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në dysheme, duke goditur kokën, nga hematoma dhe mosha e thyer e tij ka ndërruar jetë. Dera e dhomës ku ai qëndronte ishte e mbyllur dhe nuk ishte e mundur që dikush të ndërhynte.

Ndërkohë, vëllai i tij Novruz Velaj, i paralizuar prej vitesh, qëndronte në dhomën tjetër. Pasi ka dëgjuar zhurmën e rënies, ai ka tentuar të hapë derën për të parë çfarë kishte ndodhur, por nuk ka mundur dhe dyshohet se ka ndërruar jetë pasi është rrëzuar teksa kërkonte ndihmë për të hapur derën.

Të dy vëllezërit, të cilët jetonin vetëm, nuk kishin të afërm dhe mbështeteshin vetëm në pensionet e pleqërisë.

Policia po vijon hetimet për të sqaruar më tej detajet e rastit.