555 tërmete brenda 3 ditëve, qytetarët ia mbathin nga ishulli, mes tyre edhe shqiptarë

682
0

Radhë të gjata janë krijuar dy ditët e fundit pranë portit të Santorinit ku mijëra qytetarë, turistë e të punësuar kërkojnë të largohen përkohësisht nga frika e aktivitetit sizmik të vazhdueshëm dhe intensiv në ishujt Kyklades.

Sipas autoriteteve janë nga 6000- 9000 vetë, midis tyre edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptar, që janë larguar nga Santorini, kompanitë ajrore dhe ato detare kanë shtuar fluturimet dhe anijet drejt Athinës e Pireut, ndërsa qindra banorë kanë fjetur përsëri natën në makinat e tyre.

Vetëm në 3 ditët e fundit janë regjistruar mbi 555 tërmete, më i fuqishmi me magnitudë 4.9 Rihter, ndërsa sot në mëngjes ka pasur dy lëkundje prej 4.7 dhe 4.8 Rihter, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.

Efthymios Lekkas, kreu i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmeti deklaroi:

Ky aktivitet sizmik nuk do të pushojë në ditët në vijim, do të vazhdojë edhe për disa ditë, ndoshta edhe disa javë, duke qenë se kemi të bëjmë me një proces jashtëzakonisht kompleks të evolucionit të fenomenit. Sizmologët janë konfuzë pasi ende nuk është regjistruar një tërmet i madh që të zhbllokohet gjithë energjia e akumuluar.

E ashtuquajtura breshëria e tërmeteve ka epiqendër zonën detar E 30 km në verilindje të Santorinit, fakt që shihet si pozitiv sepse ndodhet larg vullkanit të ishullit. Por nga ana tjetër mund të aktivizojë një prej pllakave tektonike që sollën tërmetin e madh prej 7.7 Rihter me 55 viktima në vitin 1956. Gjithashtu një prej skenarëve të tejskajshëm dhe thuajse të pamundur është edhe aktivizimi i një prej vullkaneve nënujorë, Kolumbos.

“Duhet të menaxhojmë një fenomen gjeologjik shumë intensiv. Dua t’i kërkoj banorëve tanë të ishullit, para së gjithash, të qëndrojnë të qetë dhe të dëgjojnë udhëzimet e mbrojtjes civile”, ka deklaruar Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Autoritetet bashkë me specialistët dhe ministrinë për Mbrojtjen Civile dhe Krizës Klimatike, vlerësuan rreziqet për javët në vijim dhe vendosën që shkollat të mbeten të mbyllura për gjithë javën dhe që masat të zgjerohen në 9 ishujt përreth. Në gatishmëri janë edhe repartet e ndërhyrjes së shpejtë në rast katastrofash, që kanë sjellë gjeneratorë , çadra në rast dëmesh dhe gjithë materialet e nevojshme për rastet ekstreme.

Gjendja ka shkaktuar edhe interesin e mediave të huaja, sidomos pas njoftimit të Ministrisë së jashtme britanike që këshillon shtetasit e saj që ndodhen në ishull të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Santorini është një prej destinacioneve më të famshme turistike të botës , i njohur për pamjet spektakolare të shkëmbinjve dhe të vullkanit të fjetur,të cilin e vizitojnë më shumë se 3.5 milion turistë në vit.