Ndryshon Moti, del parashikimi për 5 ditët në vijim, ja çfarë na pret sipas SHMU (Tabela)

248
0

Pas disa ditësh me mot me kthjellime e temperatura gati pranverore mbi vendin tonë pritet depërtimi i masave ajrore të ftohta me origjinë veriore me rezultat kryesor të tyre rënien e temperaturave (pa përjashtuar këtu ditët me mot të vranët shoqëruar me reshje shiu apo dëbore).

Në këtë mënyrë për ditën e Hënë moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura por edhe alternime të herëpashershme me kthjellime. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët por lokalisht ato do të jenë me intensitet deri dhe mesatar.

Reshjet e shiut të herëpashershme por lokale dhe intensitet (kryesisht) të ulët vijojnë edhe për ditën e Martë deri në orët e mesditës më pas ka ndërprerje të tyre në të gjithë territorin. Gjithashtu moti për ditën e Martë deri në orët e mesditës parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura dhe më pas nisin kthjellimet duke filluar nga zona e veriut e në vijim në të gjithë territorin.

Për ditën e Mërkurë dhe atë të Enjte moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe temperatura në rënie në orët e mëngjesit.

Ditën e Premte mbi vendin tonë pritet përsëri depërtimi i masave ajrore të ftohta dhe të lagështa me origjinë veriore. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Në orët e pasdites reshjet lokalisht do të jenë me intensitet deri mesatar ndërsa në relievet malore në veri dhe lindje reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.