I prenë 350 pemë ullinj, qytetari në Lushnje: Këtu as punohet, as jetohet më

386
0

Mbi 350 rrënjë ullinj janë prerë në kodrën e Stan Karbunarës në Lushnje nga persona ende të paidentifikuar. Ullishtja ishte mbjellë 20 vjet më parë dhe pronarët e saj kanë lajmëruar policinë për ngjarjen.

Një prej tyre thotë se është hera e dytë që problemet me pronësinë e tokës janë bërë shkak për situatën, e cila këtë herë është përshkallëzuar me dëme të mëdha. Vlera e dëmit llogaritet mbi 30 mijë Euro.

Sipas Vasil Dufos, një prej pronarëve të ullinjve, pemët janë prerë nga katër persona natën dhe janë përdorur sharra me bateri. Duke qenë se ulinjtë janë mbjellë në majën e kodrës dhe moti ishte me shi, zhurmat nuk janë ndjerë nga askush.

“Është hera e dytë po ndjek rrugën ligjore. Unë i kam bërë të gjitha denoncimet e mia, i di kush janë se kam konflikte që më përpara, muhabet pronësie. Më erdhën, më dëmtuan këtu. Janë prerë me sharra me bateri, kanë qenë 3-4 veta. Erdhën ditën e shiut kur ishte stuhi që të mos njiheshin. Bënë dëmin dhe ikën”, tha Dufo.

Ai thotë se tokën e ka me certifikatë pronësie dhe se ullishtja ishte i vetmi burim të ardhurash për familjen e tij. Frika se herën e tretë, autorët edhe mund ta vrasin atë për t’i marrë tokën, ka sjellë dëshpërimin më të madh në këtë familje.