Zbulohet kushti i Parashqevi Simakut për t’u rikthyer në Shqipëri/ Planet e artistes dhe bashkëpunimi me…

6655
0

Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, ka qenë kryefjala e mediave në javën e fundit.

Artistja e madhe e viteve ’80, u shfaq në një video, teksa jetonte si e pastrehë, në një stacion metroje në New York.

Që prej asaj dite, jeta e këngëtares ka marrë një kthesë të madhe. Pas ndihmës që biznesmeni Elton Ilirjani i dha, tashmë gjendja e saj duket krejt ndryshe.

Pasi pësoi një ndryshim drastik në pamje, Parashqevia arriti që të takohej edhe me djalin e saj, Luke.

Tashmë duket se jeta e saj ka marrë një rrjedhë tjetër, ku planet që po përgatiten, flasin për një rikthim të sajin edhe në vendin tonë.

Aktualisht, Parashqevia është në Neë York, ku po merret me vizitat mjekësore, por edhe me konsultime me avokatë për të pajisur me dokumentacionin përkatës.

Edhe shteti shqiptar është angazhuar, për t’i siguruar këngëtares pasaportën, por edhe për të ndjekur nga afër procesin e pajisjes me dokumentacionet përkatëse.

Burime pranë komunitetit të artistëve shqiptarë në New York, bënë me dije se në planet e tyre tashmë është edhe mundësia e rikthimit të këngëtares në Shqipëri.

Rikthimi në muzikë, është tashmë një fakt, pasi aktualisht artistja është duke përgatitur një këngë, që do të jetë një bashkëpunim me një nga televizionet shqiptare. E pas këtij hapi, përgatitjet e radhës do të jenë për një rikthim të sajin në vend, ku nuk dihet nëse vizita do të jetë vetëm familjare, apo artistja do të ketë edhe dalje televizive.

Vetë Eltoni në intervistat e dhëna, është shprehur se Parashqevia i ka bërë me dije se në Tiranë ka armiq, por tashmë që çështja e saj ka marrë përmasa kaq të mëdha dhe ndërhyrja e organeve shtetërore, ka bërë që njerëzit pranë këngëtares, të flasin për një mundësi rikthimi të Parashqevi Simakut në Shqipëri.

Parashqevi Simaku, është vizituar së fundmi nga nipi i saj. Ky lajm është bërë me dije nga vetë Elton Ilirjani, i cili ka treguar se djali i vëllait të Parashqevisë ka udhëtuar drejt New York-ut ku dhe është takuar me hallën e tij.

Në një video të publikuar nga vetë biznesmeni, i riu thotë me zë dhe figurë që gjendja e Parashqevi Simakut është shumë e mirë, teksa falënderon më tej Eltonin dhe Elvirën, dy njerëzit të cilët e shpëtuan artisten shqiptare nga stacioni i trenit, ku dhe qëndronte prej kohësh.

Ndërkohë, një tjetër detaj që biznesmeni ka zbuluar është fakti se Parashqevi Simaku, nuk dëshiron të ketë kontakte me persona të tjerë dhe ky është një vendim i marrë nga vetë këngëtarja dhe vëllai i saj, Arben Simaku.

“Nuk dua të replikoj me asnjë, por vendimi që Parashqevi Simaku të mos ketë kontakte me të tjerë është marrë vetë nga ajo dhe vëllai i saj Arben Simaku. Parashqevi Simaku ndodhet në praninë e nipit të saj që ka ardhur dje në New York”, shkruan ai.

Fakti që vetë këngëtarja nuk do të ketë kontakt me asnjë person tjetër, është bërë i ditur edhe nga vetë Ilirjani. Ai është shprehur se Parashqevia i ka rrëfyer se janë pikërisht 3 persona nga Tirana ata që i kanë shkatërruar karrierën dhe jetën, ndaj edhe komunikimi me kolegë dhe dashamirës, është diçka që ajo e ka ndaluar rreptësisht, duke zgjedhur që këtë periudhë ta kalojë duke u marrë me familjarët, por edhe veten.